• e premte, 25 tetor 2024

Blushi: Ilir Meta është i burgosur politik, nëse i ndodhë gjë në burg, përgjegjës është Rama

Blushi: Ilir Meta është i burgosur politik, nëse i ndodhë gjë në burg, përgjegjës është Rama

Tiranë, 24 tetor 2024 (MIA) - Pas kumtimit të vendimit të Gjykatës speciale për arrest në burg për Ilir Metën, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, mbrëmë deklaroi se "Ilir Meta prej sot është i burgosur politik, dhe kjo për shkak të drejtësisë së robëruar e cila është në shërbim të kryeministrit Edi Rama".

"Vendimi i sotëm politik i kamikazëve të GJKKO për të lënë në arrest me burg, pa prova, fakte, presidentin e PL, Ilir Meta, i diktuar nga mafia antishqiptare dhe i urdhëruar nga Rama është një akt i rëndë që konfirmon rënin e shtetit ligjor, kapjen për fyti të drejtësisë, të vendosur në shërbim të narkoshtetit", tha Blushi.

Ai shtoi se "ky vendim i turpshëm dhe neveritshëm i Gjykatës kundër opozitës e konfirmon futjen e Shqipërisë në diktaturë".

"Ky vendim nuk është gjë tjetër veçse vijim i agresionit të pastër terrorist të narkoshtetit kundër Ilir Metës, PL, pluralizmit dhe demokracisë që u konsumua nga Altin Dumani dhe ish hetuesi i diktatorës Arben Kraja", akuzoi ai.

Blushi tha se opozita do ta përforcojë veprimin politik dhe shtoi se "nëse i ndodhë gjë Metës në burg, Edi Rama do të bartë përgjegjësi personale".

"Akti i burgosjes së Metës vjen pas skenarit për eliminim e tij fizik provon kapjen e institucioneve të drejtësisë, që janë kthyer në vrasës me pagesë të opozitës. Ilir Meta është sot i burgosur politik për shkak të qëndrimeve të tij në mbrojtje të interesit kombëtar. Edi Rama ka kaluar çdo vijë të kuqe. E vetmja rrugë është përballja dhëmb për dhëmb", tha Blushi.

Dje pasdite, pas katër orë debat, Gjykata speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ia caktoi masën "arrest me burg" Metës dhe ai u dërgua në burgun "313" i cili konsiderohet me shkallë të lartë sigurie.

Me urdhër të Prokurorisë speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, ai u arrestua të hënën në lagjen "LaprakË" në Tiranë, gjatë kthimit nga Kosova.

Ngarkohet për korrupsioni, larje parash dhe mosparaqitje të pronës. ab/

Foto: printskrin FB Blushi

QËNDRONI TË LIDHUR