• e enjte, 26 dhjetor 2024

Blinken paralajmëroi vendet e Azisë Qendrore për rreziqet e luftës në Ukrainë

Blinken paralajmëroi vendet e Azisë Qendrore për rreziqet e luftës në Ukrainë
Uashington, 28 shkurt 2023 (MIA)- Qeveria amerikane sot u zotua se do të mbështesë pavarësinë e pesë ish-republikave sovjetike të Azisë Qendrore dhe i paralajmëroi ato se vlera e Rusisë si partnere është kompromentuar seriozisht nga lufta e saj kundër Ukrainës.
 
Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, i cili është në vizitë në Kazakistan, tha se asnjë vend, veçanërisht ato që tradicionalisht janë në orbitën e Rusisë, nuk mund të lejojë të injorojë kërcënimet e agresionit rus jo vetëm në territorin e tij, por edhe në rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe ekonomisë globale. Ai theksoi rëndësinë e respektimit të "sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë".

“Që kur u bë vendi i parë që njohu Kazakistanin në dhjetor të vitit 1991, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të vendosura për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kazakistanit dhe të vendeve në rajon”, tha Blinken pas takimit në Astana me ministrat e Punëve të Jashtme të të ashtuquajturit grupi C5+ grupi 1, përfshirë Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin, Turkmenistanin dhe Uzbekistanin plus SHBA-ja.

Ai në konferencën për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Muhtar Tleuberdi tha se ai "konfirmoi mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për Kazakistanin... për të përcaktuar lirisht të ardhmen e tij."

Tleuberdi, ashtu si presidenti i Kazakistanit, Kasam-Zhomart Tokaev më parë, falënderoi Blinkenin për angazhimin e SHBA-së për lirinë e Kazakistanit, por theksoi se vendi i tij sipas gjitha gjasave nuk do të miratojë një pozicion prorus ose properëndimor. Sipas tij, Kazakistani do të vazhdojë të veprojë në përputhje me interesin e tij kombëtar dhe të udhëheqë një "politikë të jashtme të balancuar shumëpalëshe", duke pasur parasysh "situatën e ndërlikuar ndërkombëtare".

Blinken, i cili sot ndodhet në Kazakistan, dërsa nesër do të jetë në Uzbekistan, është në vizitën e tij të parë në Azinë Qendrore si sekretar shtetëror i SHBA-së. qa

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR