• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Blinken: Liderët e Kosovës dhe Serbisë do të bëjnë kompromise të vështira për normalizimin e marrëdhënieve

Blinken: Liderët e Kosovës dhe Serbisë do të bëjnë kompromise të vështira për normalizimin e marrëdhënieve

Uashington, 15 shkurt 2023 (MIA) - Liderët e Kosovës dhe Serbisë do të “bëjnë kompromise të vështira” për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, gjë që do të sjellë siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, deklaroi sot sekretari i shtetit amerikan, Entoni Blinken, duke i uruar Ditën e Shtetëtisë Serbisë.

“Në emër të SHBA-së, dua të uroj popullin e Serbisë për Ditën e Shtetësisë së tyre”, shkroi Blinken në kumtesën e Departamentit të Shtetit.

"Jam i bindur se normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët e Serbisë dhe të Kosovës do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe për tërë rajonin – do të jenë të mëdha”, ka thënë Blinken.

Ai ka thënë se SHBA-ja vlerëson partneritetin strategjik me Serbinë me qëllim të së ardshmes më të qëndrueshme, më të sigurt dhe të prosperuar për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, si dhe se SHBA-ja fuqishëm i mbështet ambiciet evropiane të Serbisë. 

"Jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian (BE) drejt arritjes së këtij qëllimi të rëndësishëm", tha Blinken.

Blinkeni i ka bërë thirrje Serbisë që të përkrahë Ukrainën në luftën kundër Rusisë. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR