• e enjte, 26 dhjetor 2024

Blinken: Ka raporte se disa amerikanë janë vrarë në Izrael

Blinken: Ka raporte se disa amerikanë janë vrarë në Izrael

Uashington, 8 tetor 2023 (MIA) - Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, ka deklaruar se Qeveria e SHBA-së ka marrë raporte për disa amerikanë të vrarë nga sulmet në Izrael.

“Jemi duke punuar jashtë orarit për t’i verifikuar ato. Në të njëjtën kohë, ka raporte për amerikanë të zhdukur. Po punojmë për t’i verifikuar edhe ato”, ka dkelaruar Blinken për rrjetin televiziv CNN.

Militantët palestinezë të Hamasit sulmuan papritur Izraelin nga Rripi i Gazës më 7 tetor - gjë që nxiti reagimin e menjëhershëm të ushtrisë izraelite me sulme ajrore.

Zyrtarët në Izrael raportuan për më shumë se 600 njerëz të vrarë, ndërsa ata në Rripin e Gazës thanë se së paku 370 veta janë vrarë dhe mbi 2.000 të tjerë janë plagosur në konfliktin që vazhdon.

Presidenti amerikan Xho Bajden, ka shprehur më herët “mbështetje të palëkundur” për Izraelin.

Hamasin, SHBA-ja dhe disa vende të tjera perëndimore e kanë shpallur organizatë terroriste.

Blinken tha se SHBA-ja “ka gjasa” që të dalë gjatë ditës me ndihmë të re ushtarake për Izraelin.

“Fokusi ynë i parë është të sigurohemi që Izraeli ka atë që i nevojitet”, theksoi ai. mb/

 

QËNDRONI TË LIDHUR