• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Luajtja bixhoz me aleancat cenon mbrojtjen e Kosovës, deklaroi presidentja Osmani

Luajtja bixhoz me aleancat cenon mbrojtjen e Kosovës, deklaroi presidentja Osmani

 Prishtinë, 21 nëntor 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani deklaroi se "rreziku dhe luajtja bixhoz" me aleancat e cenon mbrojtjen e Republikës së Kosovës, derisa ka kërkuar punë e angazhim për të ruajtur bashkëpunimin me ta, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në fjalimin e saj vjetor në Kuvend, Osmani u shpreh se nuk i ka kuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve e as përmendjen e emrave të tyre për të fituar pushtet. Sipas saj, aleanca me ata që ndihmuan të bëhet shteti i Kosovës nuk është as nënshtrim e as shantazhim.

“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm dhe asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Rëndësia dhe forcimi i aleancave është i paçmueshëm. Dobësimi i aleancave është gabimi strategjik. Aleanca me ata që na ndihmuan ta kemi shtetin nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj që forca më e madhe e jonë qëndron te partneritetet. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik dhe luajtja bixhoz me to e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Nuk i kam kuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimet e emrave të tyre për të fituar pushtet... as njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Duhet shumë punë dhe angazhim për të ruajtur aleancat me partnerët”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës ka bërë thirrje për besnikëri ndaj vlerave kushtetuese të vendit.

“Nuk do të thotë se nuk do të ketë goditje ndaj shtyllave të shtetit, por duhet të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur Kushtetutën – e cila mbetet më e moderuar. Patriotizmi kushtetues na duhet më së shumti. Në kohë të trazuara për botën, besnikëria ndaj parimeve të Kushtetutës është ajo që duhet të na bashkojë. Sot, siguria është parakusht qenësor për mirëqenie të shtuar, zhvillim ekonomik dhe dinjitet.  Ajo që dëshmon pjekurinë tonë është të sigurohemi që politikat pasqyrojnë atë që është e drejtë, e duhur dhe jo atë që është politike, që është në interes afatgjatë, dhe jo në interes të një palë zgjedhjeve. Vizioni largpamës është ajo që i ka dalluar liderët e fortë”, ka deklaruar Osmani. qa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR