• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bislimi: Qeveria nuk ka garantuar se në draftin e AKS-së nuk ka shkelje të Kushtetutës së Kosovës

Bislimi: Qeveria nuk ka garantuar se në draftin e AKS-së nuk ka shkelje të Kushtetutës së Kosovës

Prishtinë, 12 dhjetor 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Beogradin, Besnik Bislimi deklaroi se Qeveria deri tani nuk ka garantuar se draft statuti i Asociacionit të Komunave Serbe në vend (AKS), e përgatitur nga ekspertë perëndimorë, nuk e shkel Kushtetutën e Kosovës, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Bislimi në intervistën e sotme për RTV21, tha se është punë e Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë nëse sipas draft statusit të AKS-së do të ketë kompetenca ekzekutive apo jo.

 "Gjykata Kushtetuese e vendos nëse draft-statuti i asociacionit parasheh kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe. Qeveria nuk ka garantuar që nuk ka shkelje kushtetuese. Ne kemi thënë se ky është draft që na është sjellë nga ndërkombëtarët dhe nuk është përpiluar nga ne, ndërkombëtarët kanë thënë se nuk ka kompetenca ekzekutive dhe ne nuk jemi Gjykatë Kushtetuese, rrjedhimisht ata e kanë për detyrë me treguar ka apo nuk ka. Në qoftë se ka ata duhet të thonë kjo duhet të ndryshohet", deklaroi Bislimi.

 Ai theksoi se "nuk ka zbatim të marrëveshjes (për AKS-në) pa nënshkrimin e palës serbe" të marrëveshjes së fundit themelore nga Brukseli dhe aneksit për zbatimin e saj nga Ohri, të arritur në fillim të vitit ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. qa/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR