• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bislimi: Lajçak ka dhënë propozim konstruktiv për zgjidhjen e problemit me dinarin serb në Kosovë

Bislimi: Lajçak ka dhënë propozim konstruktiv për zgjidhjen e problemit me dinarin serb në Kosovë

Prishtinë, 4 prill 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi deklaroi se Kosova është pajtuar me propozimin e ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian në dialog, Mirosllav Lajçak për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë, ndërsa Serbia kërkoi kohë shtesë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Pas takimit të sotëm në Bruksel me kryenegociatorin e Serbisë në dialog, Petar Petkoviq i cili u mbajt me ndërmjetësimin e Lajçakut, Bislimi tha se palët kanë pasur dallime të mëdha për zgjidhjen e çështjes së dinarit dhe se “Serbia nuk ishte e gatshme për kompromise".

"Ky takim ishte planifikuar me idenë se palët do të ofronin zgjidhje, ndërsa pala serbe kërkoi më shumë kohë pasi nuk kishin kompetenca vendimmarrëse. Javën e kaluar palës serbe iu bë e qartë se takimi i radhës do të mund të ndodhte vetëm nëse do të dilnin me idenë e një kompromisi. Fatkeqësisht edhe sot kemi pasur dallime të mëdha", tha Bislimi.

Sipas tij, derisa pala kosovare ka diskutuar opsionet me të cilat qytetarët serb mund të marrin mbështetje shtesë financiare nga Serbia, pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Serbisë.

"Gjatë gjithë kohës (pala serbe) ka diskutuar se si do të rregullohej licencimi i kësaj banke, që nuk është as kompetencë dhe as interes i palëve të përfshira. Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku bëri një propozim të konsoliduar i cili besojmë se është konstruktiv dhe është në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje që do t'u përshtatet më së miri qytetarëve serb të Kosovës, duke respektuar në të njëjtën kohë Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK)", deklaroi Bislimi pas takimit. 

Ky ishte takimi i katërt brenda një muaji ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë lidhur me vendimin për përcaktimin e euros si mjetin e vetëm të pagesës në para të gatshme në Kosovë, përkatësisht ndalimin e përdorimit të dinarit.

Në takimin e sotëm u ra dakord që raundi tjetër i negociatave për këtë çështje të mbahet në Bruksel pas dy javësh. qa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR