• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bislimi drejtuar Stanos: Përpjekja që të mbahen zgjedhje serbe në Kosovë pa kërkesë paraprake nuk është në frymën e dialogut

Bislimi drejtuar Stanos: Përpjekja që të mbahen zgjedhje serbe në Kosovë pa kërkesë paraprake nuk është në frymën e dialogut

Prishtinë, 1 dhjetor 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Kosovës  dhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi  i hodhi poshtë si kritika jokorrekte të zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, në llogari të autoriteteve kosovare për moslejimin e votimit në zgjedhjet e Serbisë në territorin e Kosovës, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

 Stano   këto ditë deklaroi  se është "për keqardhje që praktika e vendosur  që t'u lejohet serbëve të Kosovës të votojnë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare serbe me lehtësim të OSBE-së  sërish nuk u lejua nga autoritetet e Kosovës". Sipas Stanos, një vendim i tillë i Prishtinës zyrtare nuk është në përputhje me frymën e dialogut.

 Bislimi në platformën "X", ish-Tuiter, ka porositur zëdhënësin e  BE-së se pikërisht përpjekja për organizimin e zgjedhjeve në një shtet tjetër në Kosovë pa kërkesë paraprake nuk është në frymën e dialogut.

 Zëvendëskryeministri i Kosovës e ka përsëritur qëndrimin e Qeverisë së Albin Kurtit se përderisa nuk ka kërkesë të drejtpërdrejtë zyrtare nga Beogradi, nuk mund të ketë vendim për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

"Në vendin tonë nuk janë planifikuar zgjedhje për këtë vit. Nëse autoritetet e vendeve të tjera do të preferonin të organizonin zgjedhje në Kosovë për diasporën e tyre, ata duhet të kërkojnë zyrtarisht nga autoritetet tona një vendim dhe mbështetje pozitive. Përpjekja për të organizuar zgjedhje të tilla pa një kërkesë paraprake apo vendim pozitiv, nuk është në frymën e dialogut dhe nuk kontribuon në ndërtimin e besimit. Përderisa nuk ka kërkesë të drejtpërdrejtë zyrtare, nuk mund të ketë vendim. Këtë supozohet se e dinte zoti Stano", ka  shkruar Bislimi.

 Zgjedhjet parlamentare në Serbi janë caktuar për 17 dhjetor të këtij viti.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR