• e enjte, 26 dhjetor 2024

Biserko: Vuçiq prej më herët e paralajmëroi sulmin në Banjskë, qëllimi i tij ishte ndarja e Kosovës

Biserko: Vuçiq prej më herët e paralajmëroi sulmin në Banjskë, qëllimi i tij ishte ndarja e Kosovës

Prishtinë, 28 shtator 2023 (MIA) - Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejta të njeriut në Serbi, Sonja Biserko thotë se qëllimi i sulmit nga ana e grupit të armatosur serb kundër Policisë së Kosovës në banjskë. afër Zveçanit, në veri të Kosovës, të dielën më 24 shtator, ishte ndarja e Kosovës, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në intervistë për mediumin malazez "CdM" (Cafe del Montenegro), të cilin e transmeton portali Telegrafi, Biserko tha se sulmi ishte i pritur dhe i paralajmëruar tashmë një kohë të gjatë, madje edhe nga vetë presidenti serrb, Aleksandar Vuçiq.

"Grafiti 'Kur ushtria kthehet në Kosovë' si paralajmërim kishin vërshuar jo vetëm Beogradin, por edhe brendësinë e Serbisë. Pastaj fjalimi i presidentit Aleksandar Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme, toni dhe mesazhi i tij – e gjithë kjo tregonte se diçka është duke u përgatitur. Beogradi ka qenë gjithmonë transparent në synimet e tij, si në vitet e 90-ta kur u nis për të shkatërruar Jugosllavinë, çdo veprim dhe synim ishte më i paralajmëruar në media", deklaroi Biserko.

Aktivistja serbe për të drejta të njeriut thekson se me marrjen e informacioneve, po bëhet gjithnjë e më e qartë se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt që më pas ushtria serbe të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe në këtë mënyrë të realizojë ndarjen e Kosovës.

Sipas Biserkos, ndarja e Kosovës është opsion të cilin e mbështesin pothuajse të gjithë në Serbi: elita politike, elita akademike, armata, mediumet etj.

Biserko thotë se gjendja e tillë nuk është provokuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç propagandon Beogradi zyrtar dhe mediumet nën kontrollin e tij.

"Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që Perëndimi nuk mund ta tolerojë. Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”, thotë Biserko.

Ajo shtoi se nënkryetari i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista serbe, Millan Radojiçiq, të cilin Prishtina zyrtare e ceki si prijës dhe organizues të sulmit në veri, është shtrirë në spitalin ushtarak në Beograd (VMA).

"Nëse Vuçiqi jo, i cili pretendon se nuk e dinte se çfarë po ndodhte, atëherë shtrohet pyetja se kush është figura kryesore në Beograd. Hetimi konfirmon se bëhet fjalë për një grup të mirë-pajisur (automjetet luftarake i përkasin Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe një arsenal armësh, sipas vlerësimeve, për 200 persona) dhe të stërvitur mirë të drejtuar nga Radoiçiq, i cili përndryshe është nën sanksione amerikane. Mësohet se ai është i plagosur dhe ndodhet në VMA [Spitalin Ushtarak]. Identiteti i të arrestuarve ende nuk është bërë i ditur, por ka të ngjarë, siç bëjnë me dije disa analistë, që shumë prej tyre të kenë qenë edhe në fushën e betejës ukrainase në anën ruse", potencon Biserko.

Të dielën, më 24 shkurt, në fshatin banjskë afër Zveçanit, në veri të Kosovës, një grup prej mbi 30 personave të armatosur dhe të maskuar sulmuan policë të Kosovës, me ç'rast një pjesëtar i Policisë u vra, ndërsa dy u plagosën. Në përgjigjen e forcave speciale të kosovës u vranë së paku tre nga sulmuesit dhe u konfiskua sasi e madhe armatimi, si dhe automjete të blinduara, të shfrytëzuara në sulm. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR