• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bilstrom: Suedia i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në NATO

Bilstrom: Suedia i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në NATO

Oslo, 1 qershor 2023 (MIA) - Shefi i diplomacisë suedeze sot vlerësoi se vendi i tij i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në NATO, duke i bërë apel Turqisë dhe Hungarisë që të heqin dorë nga kundërshtimet e tyre, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi se së shpejti do të udhëtojë në Ankara me këtë rast.

"Suedia ka përmbushur të gjitha angazhimet që mori në samitin e Madridit vitin e kaluar, duke përfshirë ligjin e ri për terrorizmin," tha Tobias Billstrom në fillim të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s në Oslo.

“Ka ardhur koha që Turqia dhe Hungaria të fillojnë të ratifikojnë anëtarësimin e Suedisë në NATO”, shtoi ministri.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg sot paralajmëroi se "në të ardhmen e afërt" do të udhëtojë në Ankara për të provuar të heqë pengesat e fundit për anëtarësimin e Suedisë.

"Kam folur me (presidentin turk Rexhep Tajip) Erdogan në fillim të kësaj jave dhe do të shkoj në Ankara në të ardhmen e afërt që Suedia të bëhet anëtare e Aleancës sa më shpejt të jetë e mundur," tha Stoltenberg në fillim të takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s. ls/

Foto: EPA

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR