• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bi-Bi-Si: Zbulohet se si Hamasi krijoi aleancën brutale për të kryer sulmin ndaj Izraelit

Bi-Bi-Si: Zbulohet se si Hamasi krijoi aleancën brutale për të kryer sulmin ndaj Izraelit

Londër, 28 nëntor 2023 (MIA) - Pesë grupe të armatosura palestineze u bashkuan me Hamasin në sulmin vdekjeprurës ndaj Izraelit më 7 tetor, pas kryerjes së stërvitjeve të shumta të përbashkëta ushtarake që nga viti 2020, tregon analiza e Bi-Bi-Si-së.

Këto grupe zhvilluan stërvitje të përbashkëta në Gaza, të cilat ishin shumë të ngjashme me taktikat e përdorura gjatë sulmit vdekjeprurës më 7 tetor. Ushtrimet u mbajtën edhe më pak se një kilometër nga barriera drejt Izraelin dhe gjithçka u postua në rrjetet sociale.

Gjatë këtyre stërvitjeve, e fundit prej të cilave u zhvillua vetëm 25 ditë para sulmit, u praktikuan pengmarrja, sulmet ndaj ndërtesave dhe depërtimi i mbrojtjes izraelite. BBC Arabic dhe BBC Verify mblodhën prova që tregonin se Hamasi kishte fraksione të bashkuara në Gaza për të përsosur metodat e tyre luftarake dhe përfundimisht filluan sulm ndaj Izraelit që e zhyti rajonin në luftë.

Më 29 dhjetor 2020, udhëheqësi i Hamas-it Ismail Hanije publikoi stërvitjen e parë nga katër stërvitjet e koduara Shtylla e Fortë (Strong Pillar) si një mesazh i fortë dhe shenjë uniteti midis fraksioneve të ndryshme të armatosura në Gaza.

Si grupi më i fuqishëm i armatosur në Gaza, Hamasi ishte forca dominuese në koalicionin që mblodhi së bashku 10 fraksione të tjera palestineze në stërvitjet ushtarake të mbikëqyrura nga një "qendër e përbashkët operative". Struktura për koordinimin e fraksioneve të armatosura në Gaza nën komandën qendrore u formua në vitin 2018.

Para vitit 2018, Hamasi koordinoi zyrtarisht veprimet e tij me Xhihadin Islamik Palestinez, fraksioni i dytë më i madh i armatosur në Gaza dhe - si edhe Hamasi - organizatë terroriste e ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera.

Hamasi ka luftuar gjithashtu së bashku me grupet e tjera në konfliktet e mëparshme, por stërvitja e vitit 2020 u paraqit si dëshmi se grupe të shumta janë bashkuar. Udhëheqësi i Hamasit theksoi se stërvitja e parë pasqyronte gatishmërinë e vazhdueshme të fraksioneve të armatosura. Stërvitja e vitit 2020 ishte e para nga katër stërvitjet e përbashkëta të zhvilluara gjatë tre viteve, secila e dokumentuar në videot e redaktuara të postuara në kanalet publike të mediave sociale.

Bi-Bi-Si-ja identifikoi vizualisht 10 grupe, duke përfshirë Xhihadin Islamik Palestinez, me anë të shiritave dhe emblemave të tyre dalluese në kokë. Të gjitha grupet u bashkuan me

Hamasin gjatë stërvitjet të Shtyllës së fortë në një video të postuar në aplikacionin për mesazhe Telegram.

Pas sulmit më 7 tetor, pesë grupet vazhduan të publikonin pamjet video që supozohej se tregonin përfshirjen e tyre në sulm. Tre grupe të tjera publikuan deklarata me shkrim në Telegram, duke pretenduar se edhe ato kanë marrë pjesë. Roli i këtyre grupeve është vënë në fokus ndërsa rritet presioni mbi Hamasin për të gjetur dhjetëra gra dhe fëmijë që besohet se janë marrë rob nga Izraeli në Gaza më 7 tetor nga fraksione të tjera.

Tre grupe - Xhihadi Islamik Palestinez, Brigadat Muxhahedine dhe Brigadat Al-Nasser Salah al-Din - pretendojnë se kanë marrë pengje izraelite atë ditë.

Shumë burime shprehen se përpjekjet për të vazhduar armëpushimin e përkohshëm në Gaza varen nga gjetja e pengjeve nga Hamasi. Megjithëse këto grupe u tërhoqën nga spektri i gjerë ideologjik, nga islamistët e vijës së ashpër në ata relativisht sekularë, të gjithë ata ndanë gatishmëri për të përdorur dhunë kundër Izraelit", bën të ditur Bi-Bi-Si-ja.

Deklaratat e Hamasit theksuan në mënyrë të vazhdueshme unitetin midis grupeve të ndryshme të armatosura në Gaza. Hamasi ka treguar se ata janë partnerë të barabartë në stërvitjet e përbashkëta, por kanë vazhduar të luajnë rol udhëheqës në planet për të sulmuar Izraelin.

Në regjistrimin e stërvitjes së parë shihen komandantë e maskuar në një bunker që udhëheq stërvitjen , që fillon me breshëri zjarri me raketa. Në kamerën më pas shihen luftëtarë të armatosur rëndë që sulmojnë një model tanku me flamur izraelit, duke kapur një anëtar të ekuipazhit dhe duke e tërhequr zvarrë si rob. Pamjet tregojnë gjithashtu sulme ndaj ndërtesave.

Ne e dimë nga regjistrimet dhe deklaratat e tmerrshme të dëshmitarëve se të dyja taktikat u përdorën për të kapur ushtarë dhe për të sulmuar civilë më 7 tetor, kur rreth 1.200 njerëz u vranë, ndërsa u morën rreth 240 pengje", përkujton Bi-Bi-Si-ja.

Stërvitje e dytë e "Strong Pillar" u zhvillua pothuajse saktësisht një vit më vonë. Ajman Nofall, komandant i Brigadave Izedin al-Kasam - emri zyrtar për krahun e armatosur të Hamasit - tha se qëllimi i stërvitjes më 26 dhjetor të vitit 2021 ishte të riafirmonte unitetin e fraksioneve të rezistencës. Ai deklaroi se stërvitjet "do t'i tregojnë armikut se muret dhe barrierat inxhinierike në kufijtë e Gazës nuk do t'i mbrojnë ata".

Për stërvijtet u raportua gjithashtu në Izrael, kështu që është e pakonceptueshme që ato nuk u monitoruan nga afër nga agjencitë e inteligjencës së vendit. Forcat e mbrojtjes e

Izraelit (IDF) kishin filluar tashmë sulme ajrore për të penguar aktivitetet stërvitore të Hamasit. Në prill të vitit 2023, ata bombarduan vendin e stërvitjes së parë "Shtylla e fortë".

Disa javë para sulmit, ushtarët përgjegjës për mbikëqyrjen në afërsi të kufirit të Gazës, gjoja kanë paralajmëruan për aktivitet jashtëzakonisht të patakonshëm të dronëve dhe se Hamasi po stërvitej për të kapur pikat e vëzhgimit përmes replikave të pozicioneve të tyre. Por, sipas raporteve në mediat izraelite, paralajmërimet e tyre janë injoruar.

Hamasi ka bërë shumë për t'u përkujdesur që stërvitjet të jenë reale. Në vitin 2022, luftëtarët e tij organizuan sulm në një bazë të rreme ushtarake izraelite të ndërtuar vetëm 2.6 km nga kalimi i Erezit i kontrolluar nga IDF midis Gazës dhe Izraelit.

Më 10 shtator të vitit 2023, e ashtuquajtura Qendra e Komitetit të Përbashkët publikoi në kanalin e saj të dedikuar në Telegram fotografi të burrave me uniforma ushtarake që mbikëqyrin instalimet ushtarake përgjatë barrierës së Gazës. Dy ditë më vonë, u mbajt stërvitja e katërt ushtarake "Shtylla e fortë" dhe deri më 7 tetor u praktikuan të gjitha taktikat që duhej të përdoren në sulmin.

Luftëtarët u filmuan duke vozitur në të njëjtat kamionçina të bardha Tojota që u panë duke vozitur nëpër Izraelin jugor muajin e ardhshëm.

Videoja propagandistike tregon persona të armatosur duke hyrë në ndërtesa të rreme dhe duke qëlluar në shënjestra të rreme brenda, si dhe duke u trajnuar për të sulmuar një plazh duke përdorur anije dhe zhytës. Izraeli njoftoi se kishte penguar një përpjekje për të ankoruar anijet e Hamasit në brigjet e tij më 7 tetor.

Mirëpo, Hamasi nuk njoftoi trajnimin e tij për motoçikleta dhe parashutistë gjatë stërvitjes "Shtylla e fortë". Videoja e stërvitjes e publikuar nga Hamasi tre ditë pas 7 tetorit tregon rrënimin e gardheve dhe barrierave për të mundësuar kalimin e motoçikletave, taktikë kjo që sulmuesit e përdorën për të mbërritur te bashkësitë në Izraelin jugor.

Pamjet e luftëtarëve që përdornin pajisje parashutiste gjithashtu nuk u publikuan deri pas sulmit të 7 tetorit. Në një video të stërvitjes të shpërndarë në ditën e sulmit, personat e armatosur shihen duke zbritur në pistën e një kibuci të rremë, i cili sipas BBC ndodhet në veri të Rafas në Gazën jugore.

BBC Verify beson se kjo është regjistruar diku para 25 gushtit të vitit 2022 dhe është ruajtur në një skedar kompjuterik të quajtur Eagle Squadron, emri që Hamasi përdor për divizionin e tij ajror - duke sugjeruar se planet për paraglajdët kanë filluar prej më shumë se një viti.

Para 7 tetorit, konsiderohej se Hamasi ka rreth 30.000 luftëtarë në Rripin e Gazës. Po ashtu, konsiderohej se Hamasi mund të tërhiqte disa mijëra luftëtarë nga grupe më të vogla. Hamasi është deri tani më i fuqishmi nga grupet e armatosura palestineze, edhe pa mbështetjen e fraksioneve të tjera - duke sugjeruar se interesi i tyre për të nxitur fraksione nxitet nga një përpjekje për të siguruar mbështetje të gjerë në Gaza, si dhe për të forcuar numrin e vet.

IDF më parë vlerësoi se 1.500 luftëtarë u janë bashkuar sulmeve më 7 tetor. "Tajms of Izraell" raportoi në fillim të nëntorit se IDF tani beson se numri i sulmuesve është afër 3.000. Pavarësisht numrin e vërtetë , kjo do të thotë se kanë marrë pjesë vetëm një pjesë relativisht e vogël e numrit të përgjithshëm të operativëve të armatosur në Gaza. Nuk mund të konfirmohej se sa luftëtarë nga grupe më të vogla morën pjesë në sulmin ose në stërvitjet "Shtylla e fortë".

Derisa Hamasi po krijonte mbështetje fraksionale në përgatitjet për sulmin, Hisham Xhaber, një ish-gjeneral brigade në ushtrinë libaneze, i cili tani është analist i sigurisë në Qendrën për studime dhe kërkime të Lindjes së Mesme, tha se ai besonte se vetëm Hamasi ishte në dijeni të planit përfundimtar dhe se Hamasi ndoshta u kishte kërkuar fraksioneve të tjera të bashkoheshin atë ditë.

Andreas Krig, Ligjërues i lartë në studimet e sigurisë në King 's Kolexhin në Londër, i deklaroi Bi-Bi-si-së: "Kishte planifikim të centralizuar, por ekzekutimi ishte i decentralizuar, secila njësi individuale dhe grup e operacionalizuan planin ashtu siç u konvenonte".

Krig shprehet se ka biseduar me njerëz në Hamas të cilët ishin të befasuar nga dobësia e mbrojtjes së Izraelit dhe vlerësuan se militantët ka të ngjarë të anashkalonin teknologjinë izraelite të mbikëqyrjes duke komunikuar jashtë rrjetit.

Në pyetjen për detajet e paraqitura në këtë shkrim, forcat mbrojtëse të Izraelit thanë se ato janë "aktualisht të përqendruar në eliminimin e kërcënimit të paraqitur nga organizata terroriste Hamas" dhe se pyetjet në lidhje me dështimet e mundshme do të "adresohen në një fazë të mëvonshme."

Mund të kalojnë disa vjet para se Izraeli të njoftojë zyrtarisht nëse humbi një mundësi për të parandaluar masakrën e 7 tetorit. Pasojat për ushtrinë, inteligjencën dhe qeverinë e Izraelit mund të jenë sizmike", konstaton Bi-Bi-Si. ssm/

fotografi: YouTube printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR