• e enjte, 26 dhjetor 2024

Besimi: Fletobligacioni i qytetarëve është ndër produktet financiare më të favorshme dhe investim pa rrezik

Besimi: Fletobligacioni i qytetarëve është ndër produktet financiare më të favorshme dhe investim pa rrezik

2 korrik 2023 

Arsyeja e parë që qytetarët të investojnë në fletobligacione të qytetarëve është norma e favorshme e interesit, arsyeja e dytë është siguria e investimit. Por gjithashtu, me fletobligacionin e qytetarëve zgjerohet portofoli i investimeve përmes tregut zhvillimor të kapitalit, që është arsyeja e tretë e investimit, lufta kundër ekonomisë gri – që është arsyeja e katërt dhe arsyeja e pestë, respektivisht investimi për një të nesërme më të mirë, në rritje dhe zhvillim ekonomik, të cilën e nënvizon ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit. Me interes kuponi prej 5% dhe afatizim dyvjeçar, fletobligacioni i qytetarëve është aktualisht një nga letrat me vlerë më të favorshme në treg, me një fitim për dy vite prej 10% të shumës së investuar. Letrat shtetërore me vlerë janë gjithashtu instrumenti më i sigurt i investimit, sepse shteti qëndron pas tyre si emetues dhe garanton sigurinë e tyre dhe sigurinë e rendimentit.

“Fletobligacioni i qytetarëve ka interes kuponi, që do të thotë se interesi i paguar nga shteti për poseduesin, paguhet disa herë, sipas afateve të përcaktuara në prospekt. Në rastin e fletobligacioneve të qytetarëve të ofruara në këtë ankand, interesi do t'i paguhet poseduesit në datat 20.07.2024 dhe 20.07.2025. Kjo do të thotë se nëse dikush investon tani 100.000 denarë, në datat e përcaktuara shteti do t'i paguajë interes prej 5.000 denarë, ose gjithsej do të ketë rendiment prej 10.000 denarëve për dy vjet, ose 10% të vlerës. Në përfundim të afatit të fletobligacionit, shteti kthen të gjithë shumën e investuar nga qytetari. Një fletobligacion ka vlerë prej 10.000 denarëve, që është investim minimal që mund të bëjnë qytetarët”, shkruan Besimi.

Tashmë edhe qytetarët do të mund t’i gëzojnë këto përfitime, me instrument të projektuar posaçërisht për ta. Fletobligacionet e qytetarëve ofrojnë siguri edhe nga një aspekt tjetër, që është mbrojtja e kursimeve të qytetarëve nga efektet e inflacionit.

“Procedura për të investuar në fletobligacionin e qytetarëve është jashtëzakonisht e thjeshtë. Qytetarët duhet të drejtohen në ndonjë nga bankat komerciale dhe të parashtrojnë kërkesë për pjesëmarrje në ankand, si dhe ta paguajnë vlerën monetare për të cilën duan të blejnë fletobligacione. Kërkesa duhet të dorëzohet në bankë, më së voni një ditë para ankandit. Pas përfundimit të ankandit, aplikuesit lidhin marrëveshje, me ç’rast fletobligacioni regjistrohet në emër të tyre dhe më pas, me maturimin e afateve, atyre u paguhet interesi”, shkruan ministri i Financave.

Ankandi i parë i fletobligacioneve të qytetarëve në vendin tonë do të mbahet më 13 korrik. Qytetarët do të mund të parashtrojnë kërkesat deri më 12 korrik. Gjithsej do të ofrohen fletobligacione në vlerë prej 600 milionë denarëve.

Ministria e Financave

__________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR