Berbok nuk e hedh poshtë mundësinë për anijen gjermane në ngushtincën e Tajvanit
- Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme Analena Berbok e cila është për vizitë në Zelandën e Re, nuk e përjashton mundësinë që një anije gjermane të kalojë ngushticën e Tajvanit.
- Post By Fami Bajrami
- 11:44, 4 maj, 2024
Oukland, 4 maj 2024 (MIA) - Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme Analena Berbok e cila është për vizitë në Zelandën e Re, nuk e përjashton mundësinë që një anije gjermane të kalojë ngushticën e Tajvanit.
Anija gjermane Baden-Virtemberg dhe një anija e furnizimit do të nisen të martën në një mision trajnues në Paqësor që do të zgjasë disa muaj. Anijet do të hyjnë në Oqeanin Paqësor përmes Kanalit të Panamasë, ndërsa më vonë do të kalojnë dhe Detin e Kinës Jugore.
Ruta gjatë së cilës do të lundrojnë anijet nuk do të njoftohet paraprakisht, tha Berbok gjatë një konference për media me kolegun e saj nga Zelanda e Re, Vinston Piters.
Ajo theksoi se "e drejta e kalimit paqësor" vlen për ngushticën e Tajvanit.
"Të njëjtat rregulla zbatohen si në të gjitha zonat detare të krahasueshme ku lundrojnë anijet tona dhe anijet e tjera", shtoi Berbok.
Kina mund ta konsiderojë kalimin e ngushticës së Tajvanit si një provokim, transmeton DPA. Tajvani ka një qeveri të pavarur që nga viti 1949, por Kina e konsideron demokracinë vetëqeverisëse pjesë të territorit të saj.
SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca ende mbajnë një prani ushtarake në ngushticën midis Tajvanit dhe Kinës.
Në vitin 2021, anija gjermane Bajern ka marrë pjesë në manovra me aleatët e atëhershëm, por iu shmang Tajvanit gjatë udhëtimit të saj drejt Paqësorit. rq/
Foto: DPA