• e enjte, 26 dhjetor 2024

Belgjika shënon Festën Kombëtare

Belgjika shënon Festën Kombëtare

Bruksel, 21 korrik 2023 (MIA) - Sot, Belgjika shënon festën e saj kombëtare - ditën kur mbreti i parë belg Leopold bëri betimin për Kushtetutën e shtetit më 21 korrik 1831, datë që konsiderohet edhe si fundi zyrtar i Revolucionit Belg, gjegjësisht, lufta për pavarësi nga Mbretëria e atëhershme e Bashkuar e Holandës. Festimi i sivjetshëm i festës kombëtare shënon edhe 10-vjetorin e ngjitjes në fron të mbretit aktual belg Filip.

Me rastin e festës, mëngjesin e sotëm në Katedralen e Brukselit do të mbahet mesha Te Deum, pas së cilës pasdite do të organizohet një parakalim në qendër të qytetit dhe festimi do të përfundojë me një koncert në mbrëmje në parkun e 50-vjetorit të Brukselit (Park de Sankontener/Jubelpark) dhe me fishekzjarre.

Në parakalim do të marrin pjesë të dy fëmijët e mbretit Filip, Princi Gabriel, i cili përfundoi vitin e parë në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Bruksel, dhe Princesha Elizabet, e cila po ashtu studion në këtë Akademi. Ata do të marshojnë në parakalim së bashku me kolegët e tyre nga Akademia.

Gjatë parakalimit, dhjetë avionë luftarakë F-16 do të fluturojnë mbi qiellin e Brukselit, i cili simbolikisht do të shënojë dhjetëvjetorin e qeverisjes të mbretit Filip.

Me rastin e Festës Kombëtare, Parlamenti Federal belg organizon "ditë të hapur" nga ora 11:00 deri në orën 19:00, ku qytetarët do të mund të vizitojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin dhe të shohin ekspozitën e bustit të të gjithë monarkëve të mëparshëm të Belgjikës, e cila u vendos së fundmi me rastin e dhjetëvjetorit të hyrjes në fron të Mbretit Filip. Vizitorët do të kenë gjithashtu mundësinë të shohin fronin në të cilin u ul mbreti Filip gjatë betimit.

Gjatë ditës do të organizohen disa evente, të cilat, sipas njoftimeve, do të fokusohen në ngjarjet e viteve të kaluara dhe sfidat me të cilat u përball Belgjika.

Përpara festimit, Ministrja e Brendshme belge Anelis Verlinden tha se mbreti kishte luajtur gjithmonë një rol unifikues, por se festa do të ishte gjithashtu një mundësi për të njohur dhe falënderuar forcat e sigurisë. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR