• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bekimi i Pashkëve të Papa Françeskut

Bekimi i Pashkëve të Papa Françeskut

 Vatikan, 31 mars 2024 (MIA)  - Papa Françesku në bekimin Urbi et Orbi sot bëri thirrje për armëpushim në Gazë dhe qasje në ndihmë humanitare në këtë zonë dhe porositi Ballkanin Perëndimor se dallimet etnike, kulturore dhe fetare nuk duhet të jenë arsye për ndarje, por një burim pasurie.

Duke folur nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa tha se në mendje "para së gjithash i ka viktimat e konflikteve të shumta që po ndodhin në botë, duke filluar me luftërat në Izrael dhe Palestinë, si dhe në Ukrainë". 

 "Duke bërë thirrje për respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, e shpreh shpresën time për një shkëmbim të të gjithë të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës, të gjithë për të gjithë. Sërish apeloj që të garantohet qasja në ndihmat humanitare në Gazë dhe e përsëris thirrjen time për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të rrëmbyer më 7 tetor të vitit të kaluar, si dhe për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës", tha Papa.

Ai veçanërisht u përqendrua te fëmijët në zonat e luftës që "nuk dinë të qeshin më" dhe të cilët pyesin "pse kaq shumë vdekje dhe shkatërrim". 

 

Papa iu drejtua edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

"Veçanërisht në mendje e kam Ballkanin Perëndimor, ku po ndërmerren hapa të rëndësishëm drejt integrimit në projektin evropian. Dallimet etnike, kulturore dhe fetare nuk duhet të jenë arsye për ndarje, por duhet të bëhen burim pasurie për të gjithë Evropën dhe mbarë botën", tha ai. 

 Françesku theksoi se lufta është "gjithmonë absurde dhe gjithmonë një disfatë" dhe se "nuk ndërtohet me armë, por me duar të shtrira dhe zemra të hapura". Ai tha se nuk duhet të harrohen Siria dhe Libani, se duhet të inkurajohen bisedimet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe se politikanët duhet të përballen me kontrabandistët e njerëzve.

 "Drita e Pashkëve le të na ndriçojë mendjen dhe të na shëndrrojë zemrat tona, që të ndërgjegjësohemi për vlerën e çdo jete njerëzore që duhet të pranohet, mbrohet dhe duhet", tha Papa Françesku 87-vjeçar.

Foto: Vatikan njuz 

 

QËNDRONI TË LIDHUR