• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

BE-ja siguron fluturime shtesë humanitare për të ndihmuar njerëzit në Gazë

BE-ja siguron fluturime shtesë humanitare për të ndihmuar njerëzit në Gazë

Bruksel, 10 nëntor 2023 (MIA) - Komisioni Evropian kumtoi se sot dhe neser do të realizohen dy nga gjashtë fluturimet shtesë me ndihma humanitare të destinuara për banorët e Gazës.

"Deri në fund të javës, 55 tonë ndihma do të dërgohen me aeroplan nga qyteti italian Brindizi. Javën e ardhshme do të kryhen tre fluturime nga Bukureshti, ndërsa Rumania do të sigurojë tenda. Deri në fund të muajit, një aeroplan me ndihmën e OKB-së do të ngrihet nga qyteti belg Ostend”, shtohet në kumtesën.

Nëpërmjet urës ajrore të hapur mes BE-së dhe Egjiptit, javët e fundit janë kryer 14 fluturime dhe janë dërguar 550 tonë ndihma emergjente.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, saktëson se ndihma është planifikuar të dërgohet edhe nga deti. “BE ka qenë gjithmonë donatori më i madh për palestinezët”, tha Fon der Lajen.

Ajo theksoi se BE-ja e ka katërfishuar ndihmën për Gazën këtë vit në më shumë se 100 milionë euro dhe ka mbështetur palestinezët më të rrezikuar tashmë 23 vjet. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR