• e hënë, 08 korrik 2024

BE-ja ka vendosur sanksione ndaj tre grupeve islamike për shkak të dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore

BE-ja ka vendosur sanksione ndaj tre grupeve islamike për shkak të dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore

Bruksel, 13 prill 2024 (MIA) – Në listën e sanksioneve globale për shkeljet e të drejtave të njeriut, BE-ja ka shtuar tre grupe përgjegjëse për dhunën seksuale dhe me bazë gjinore gjatë sulmeve terroriste brutale dhe pa selektim kundër Izraelit më 7 tetor 2023, kumtoi Këshilli Evropian.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, bëhet fjalë për Brigadat "Jerusalem" (Al-Kuds), krahu i armatosur i grupit terrorist Palestinez Xhihadi Islamik (JIF) dhe Brigadat e martirit Izedin al-Kasam (KIK), krahu ushtarak i grupit terrorist të organizatës Hamas dhe njësisë së saj elitare të forcave speciale (Nukba).

Me këtë në listën e të sanksionuarve sipas regjimit global të BE-së për masa kufizuese për shkeljen e të drejtave të njeriut ndodhen 104 persona fizikë dhe juridikë dhe 26 subjekte nga disa shtete.

Të sanksionuarve u janë ngrirë pronat. ndërsa individëve dhe subjekteve u ndalohet të furnizojnë në mënyrë direkte ose indirekte mjete ose burime ekonomike. Gjithashtu, personave fizikë u ndalohet të udhëtojnë në BE.

Në konkluzionet e Samitit të BE-së më 21 dhe 22 të muajit të kaluar, Këshilli Evropian përsëriti "dënimin më të fortë të mundshëm të sulmeve terroriste brutale dhe pa dallim" nga Hamasi kundër Izraelit që nga 7 tetori 2023, duke njohur të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe bëri thirrje përsëri për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve pa asnjë parakusht. Këshilli i BE-së theksoi gjithashtu se ekziston shqetësim serioz për sigurinë dhe gjendjen e pengjeve dhe kërkoi që Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura të ofrojnë menjëherë akses humanitar për të gjithë të rrëmbyerit e mbetur. Liderët e BE-së kërkuan gjithashtu masa të mëtejshme kufizuese kundër Hamasit.

BE-ja vendosi Regjimin e saj global të Sanksioneve për shkeljet e të Drejtave të Njeriut më 7 dhjetor 2020. Në bazë të tij janë vendosur sanksione për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje ose abuzime të tjera serioze të të drejtave të njeriut, si tortura, skllavëria, vrasjet jashtëgjyqësore dhe arrestimet ose ndalimet arbitrare.

Regjimi global është një instrument përmes të cilit Unioni manifeston vendosmërinë e tij për të forcuar rolin e tij në përballjen me shkeljet dhe abuzimet serioze të të drejtave të njeriut në mbarë botën.

"Gëzimi efektiv i të drejtave të njeriut për të gjithë është një synim strategjik i Unionit. Respektimi i dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut është një vlerë themelore e Unionit dhe politikës së tij të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë", thekson Këshilli Evropian.

Këshilli vitin e kaluar,më 4 dhjetor 2023 e zgjati vlefshmërinë e regjimit të sanksioneve globale të BE-së për shkeljet e të drejtave të njeriut deri më 8 dhjetor 2026. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR