BE-ja e dënoi sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok
- Bashkimi Evropian e dënon ashpër sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës, kumtoi sot Shërbimi evropian për punë të jashtme (EEAC), duke cekur se ky është akt i papranueshëm i sabotimit të infrastrukturës kritike civile e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullatës dhe është komponentë vitale e sistemit energjetik.
- Post By Arta Bunjaku
- 17:52, 30 nëntor, 2024
Bruksel, 30 nëntor 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian e dënon ashpër sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës, kumtoi sot Shërbimi evropian për punë të jashtme (EEAC), duke cekur se ky është akt i papranueshëm i sabotimit të infrastrukturës kritike civile e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullatës dhe është komponentë vitale e sistemit energjetik.
Në kumtesë thuhet se BE-ja u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të bashkërendojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in.
Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit EULEX po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.
"Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë ata në mbarë Kosovën që janë prekur nga sulmi. Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme", tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri në largim, Zhozep Borell, duke nënvizuar se "veprimi kriminal i kryer në Zubin Potok duhet të hetohet dhe autorët e tij të vihen para drejtësisë".
Në atë drejtim, tha ai, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës. ab/