• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

BE-ja do ta përforcojë luftën kundër terrorizmit përmes shkëmbimit të informatave dhe parandalimit të infiltrimit terrorist dhe propagandës onlajn

BE-ja do ta përforcojë luftën kundër terrorizmit përmes shkëmbimit të informatave  dhe parandalimit të infiltrimit terrorist dhe propagandës onlajn

Bruksel, 12 dhjetor 2024 (MIA) - Këshilli për drejtësi dhe punë të brendshme i BE-së në mbledhjen e sotme miratoi konkluzionin e parë nga dy grupet e konkluzioneve për përforcimin e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit, i cili, sipas vlerësimeve, së bashku me ekstremizmin e dhunshëm edhe më tutje paraqesin kërcënim të madh për BE-në dhe vendet e saj anëtare.

Me konkluzionet, siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, përcaktojnë qëllimet strategjike dhe fushat kyçe në të cilat nevojiten përpjekje të shtuara për përmirësimin e efikasitetit operativ dhe ato paraqesin bazën për formësimin e politikave dhe masave antiterroriste të BE-së për pesë vitet e ardhshme.

Ministri hungarez i Punëve të Brendshme, Shandor Pinter, vendi i të cilit është kryesues aktual i BE-së, vlerësoi se lufta kundër terrorizmit është një përpjekje e përbashkët e të gjitha vendeve anëtare të Unionit.

Sipas tij, vendet e BE-së kanë në dispozicion një sërë instrumentesh të përbashkëta, që nga shkëmbimi i informacionit dhe forcimi i sigurisë kufitare, deri te parandalimi i financimit të terrorizmit dhe parandalimi i radikalizimit, për të mbajtur qytetarët e tyre të sigurt.

Për përforcim shtesë të masave antiterroriste, është parashikuar të hënën të miratohen edhe konkluzionet për përforcimin e lidhjeve të jashtme dhe të brendshme në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

"Trazirat globale rritën nivelin e kërcënimit nga terrorizmi në disa vende anëtare. Ato konflikte të jashtme kontribuan për intensifikimin e radikalizimit dhe polarizimit social nëpër Union, që sërish potencialisht mund të çojë në terrorizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm", citohet në konkluzione.

Për këto arsye, Këshilli u bën thirrje shteteve anëtare të përmirësojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për t'iu përgjigjur sulmeve të mundshme terroriste dhe të dhunshme ekstremiste. Konkluzionet theksojnë se forcimi i përpjekjeve për të luftuar terrorizmin kërkon shkëmbimin e informacionit, zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit të personave që përfaqësojnë një kërcënim terrorist, si dhe luftimin e përhapjes së terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes internetit.

Në të njëjtën kohë, ministrat e brendshëm i bëjnë thirrje Komisionit Evropian së bashku me shtetet anëtare që të punojnë në operacionalizimin e dëbimit efektiv të personave që përfaqësojnë një kërcënim për sigurinë, si dhe të ndërmarrin hapa shtesë për t'u marrë me sfidat që dalin nga mospërputhja e disa platformave onlajn me Ligjin për shërbimet dixhitale të BE-së. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR