BEI do të sigurojë garanci për 1,95 miliardë euro për mbështetje të Ukrainës
- Në Luksemburg sot do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të një marrëveshjeje të re garancie me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) për sigurimin e 1,95 miliardë euro për mbështetje të Ukrainës, ku do të marrë pjesë edhe eurokomisarja e BE-së për zgjerim, Marta Kos.
- Post By Fami Bajrami
- 08:20, 6 mars, 2025

Bruksel, 6 mars 2025 (MIA) - Në Luksemburg sot do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të një marrëveshjeje të re garancie me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) për sigurimin e 1,95 miliardë euro për mbështetje të Ukrainës, ku do të marrë pjesë edhe eurokomisarja e BE-së për zgjerim, Marta Kos.
Kjo garanci shtesë ka për qëllim të mundësojë hua për realizimin e projekteve të përqëndruara në përpjekjet urgjente të rimëkëmbjes dhe rindërtimit në Ukrainë, si dhe të inkurajojë potencialisht investimet private për këtë qëllim.
Sipas Kos, kjo marrëveshje garancie me BEI-në thekson rolin e rëndësishëm të BE-së në mbështetjen e Ukrainës në përballjen me agresionin rus.
"Do të qëndrojmë pranë Ukrainës për aq kohë sa të nevojitet dhe me aq intensitet sa të nevojitet. Kjo garanci e re do t'u ndihmojë ukrainasve të rindërtojnë vendin e tyre. Kjo do të ndihmojë në rivendosjen e sistemeve të ujit dhe ngrohjes, shkollave dhe spitaleve", shtoi Kos.
Mjetet e siguruara nga garancitë nga kjo marrëveshje do të ndahen për investime në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, për rindërtimin e rrjetit elektrik, për zgjerimin e prodhimit të energjisë nga hidrocentralet dhe burimet e rinovueshme, si dhe për përmirësimin e efikasitetit të energjetikës.
Një pjesë e këtyre mjeteve janë parashikuar të orientohen për modernizimin e hekurudhës, përmirësimin e transportit publik urban dhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe vendkalimeve kufitare, të cilat do të lehtësojnë trafikun nëpër rutat kryesore për eksport.
Në mënyrë shtesë, është parashikuar edhe financim për rindërtimin e sistemeve të ujit dhe ngrohjes, ndriçimit publik, shkollave, spitaleve dhe institucioneve të arsimit të lartë.
Ky financim është pjesë e Fondit të BE-së për Ukrainën, në kuadër të të cilit janë paraparë 50 miliardë euro për mbështetje të Ukrainës për periudhën 2024 deri në vitin 2027. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s