• e enjte, 26 dhjetor 2024

Begaj thotë se dhuna nuk duhet të jetë opsion, por dialog për tejkalimin e tensioneve në Kosovë

Begaj thotë se dhuna nuk duhet të jetë opsion, por dialog për tejkalimin e tensioneve në Kosovë

Tiranë, 7 qershor 2023 (MIA) - Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, duke komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ka thënë se ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të tregojnë kujdes dhe se dhuna nuk duhet të jetë opsion, por dialog, njoftoi Ora njuz.

"Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës janë të pazëvendësueshëm. I bëj thirrje vëllazërore autoriteteve të Kosovës që në këtë situatë të kenë durim, pjekuri dhe të koordinohen me partnerët tanë strategjikë. Dhuna nuk është zgjidhje, konflikti i dhunshëm nuk duhet të jetë opsion, por dialogu, shtoi ai në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Estonisë Alar Karis, i cili është në vizitë në vend.

Ai ka konfirmuar se është në komunikim të vazhdueshëm jo vetëm me autoritetet e Kosovës por edhe me krerët e shteteve nga rajoni.

"Komunikimi im me Kosovën është i vazhdueshëm, me autoritetet më të larta, si dhe me komandantin e KFOR-it dhe me disa presidentë të vendeve të rajonit. Mbështetja jonë për Kosovën vazhdon dhe theksoj rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe anekseve të dakorduara në Ohër. Duhet të fokusohemi në prioritetet", theksoi ai.

Ai vlerësoi se “askush nuk është i kënaqur me situata apo sjellje që nuk i shërbejnë stabilitetit të rajonit, sidomos kur ai është në proces integrimi”.

"Përderisa të gjithë prisnim që do të kishte negociata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ne patëm një situatë të tensionuar, e cila erdhi si pasojë e keqpërdorimeve të popullatës serbe në veri të Kosovës dhe dhunës nga grupet kriminale. Kjo ka pasoja për rajonin, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, si një barrë e panevojshme për partneritetet. Mendoj se situata kërkon një zgjidhje, e cila besoj se do të merret parasysh nga liderët dhe dy faktorët kryesorë", tha ai. ls/

Foto: Profili në Fejsbuk i Begaj

 

QËNDRONI TË LIDHUR