• e shtunë, 23 nëntor 2024

Begaj në takim me Kurtin: Shqipëria qëndron pranë Kosovës në të gjitha sfidat

Begaj në takim me Kurtin: Shqipëria qëndron pranë Kosovës në të gjitha sfidat
Tiranë, 16 shkurt 2023 (MIA) - Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të vizitës në Kosovë dhe pjesëmarrjes në festat shtetërore me rastin e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, është takuar me kryeministrin Albin Kurti.
 
"Presidenti Begaj e uroi kryeministrin Kurti për 15 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe përshëndeti arritjet e Kosovës në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit, me respekt të plotë për angazhimet e ndërmarra 15 vjet më parë, njoftoi agjencia shtetërore shqiptare, ATA.
 
Duke u fokusuar te dialogu Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj e vlerësoi domosdoshmërinë e vazhdimit të këtij dialogu dhe e siguroi kryeministrin Kurti se Shqipëria do të qëndrojë pranë Kosovës dhe institucioneve të saj në të gjitha sfidat dhe përpjekjet për të zënë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare dhe rajonale.
 
Presidenti Begaj e theksoi qëndrimin se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pacenueshëm.
 
"Kreu i shtetit, e vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin shumë të mirë dhe strategjik mes dy shteteve dhe theksoi nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat, në dobi të marrëdhënieve ndërshtetërore, por edhe të bashkëpunimit kombëtar, si në rajon ashtu edhe në diasporë, shton agjencia.
 
Begaj është pritur me nderime shtetërore nga kryetarja Vjosa Osmani, me të cilën në takim i ka shprehur të njëjtat qëndrime, ndërsa nesër ndër të tjera do t'u drejtohet deputetëve dhe do të marrë pjesë në pritjen shtetërore. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR