• e enjte, 26 dhjetor 2024

BE për vizitën e Vulinit në Moskë: Ruajtja e lidhjeve me Rusinë gjatë agresionit në Ukrainë nuk është në përputhje me vlerat e Unionit

BE për vizitën e Vulinit në Moskë: Ruajtja e lidhjeve me Rusinë gjatë agresionit në Ukrainë nuk është në përputhje me vlerat e Unionit

Beograd, 16 gusht 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian e ka porositur Serbinë se mbajtja e marrëdhënieve me Rusinë gjatë agresionit kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e Unionit dhe procesin e anëtarësimit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Reagimi i Brukselit pasoi pas takimit të zëvendëskryeministrit serb, Aleksandar Vulin me përfaqsuesit e Kremlinit gjatë një vizite treditore në Moskë dhe akuzat për bashkëpunim të inteligjencës me Rusinë.

"Bashkimi Evropian ishte i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës", theksohet nga BE-ja në përgjigjen e saj për Radion Evropa e Lirë (REL).

Nga Brukseli thonë edhe se BE-ja dëshiron të llogarisë në të gjitha vendet kandidate si partnerë të besueshëm evropianë në parime, vlera, siguri dhe prosperitet të përbashkët.

Vulin dy ditë më parë falënderoi sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergej Shojgu, i cili e paralajmëroi kryesinë serbe për "përgatitjen e trazirave masive dhe një tentativë për grusht shtet".

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 9 gusht deklaroi se "përmes kanaleve zyrtare nga Rusia ka marrë informacion për atë që mediat kanë shkruar më parë – se në Serbi po përgatiten trazira masive me qëllim të grushtit të shtetit”.

Vuçiq këtë e deklaroi në pritje të protestës të së dielës kundër minierave të litiumit në Beograd, pasi protestat u mbajtën diku tjetër në Serbi gjatë javëve të fundit.

Qeveria e Serbisë dhe Agjencia Informative e Sigurisë (AIS) nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-së se çfarë informacioni iu dha Beogradit nga shërbimet ruse. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR