• e enjte, 26 dhjetor 2024

BE: Duhet të respektohet vullneti zgjedhor i popullit të Venezuelës

BE: Duhet të respektohet vullneti zgjedhor i popullit të Venezuelës

Bruksel, 30 korrik 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian mirëpret vendosmërinë e popullit të Venezuelës që në mënyrë paqësore dhe në numër të madh t'i ushtrojë të drejtat e tyre zgjedhore në zgjedhjet presidenciale dhe thekson se vullneti i tyre duhet respektuar, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri Zhozep Borrell në reagim ndaj zhvillimeve në Venezuelë pas zgjedhjeve të së dielës.

"BE njeh angazhimin e opozitës ndaj procesit zgjedhor pavarësisht kushteve të pabarabarta të lojës. Rezultatet e zgjedhjeve nuk janë verifikuar dhe nuk mund të konsiderohen se pasqyrojnë vullnetin e popullit të Venezuelës, derisa të publikohen dhe verifikohen të gjitha të dhënat zyrtare nga qendrat e votimit, theksoi Borrell në reagim, duke shtuar se BE-ja me kujdes e ndjek monitorimin e procesit zgjedhor në vend.

Borrell thekson se BE-ja i bën thirrje Këshillit Zgjedhor të Venezuelës (CNE) të zbatojë procesin e përmbledhjes së rezultateve sa më transparente të jetë e mundur, duke përfshirë sigurimin e menjëhershëm të të dhënave të votimit të çdo qendre votimi dhe publikimin e rezultateve të zgjedhjeve për secilën prej tyre veç e veç. 

Ai thekson se BE-ja është e shqetësuar për “ndalimet dhe frikësimet arbitrare” të anëtarëve të opozitës dhe shoqërisë civile gjatë procesit zgjedhor dhe bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë.

"BE apelon për qetësi dhe u bën thirrje forcave të sigurisë që të sigurojnë respektimin e plotë të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtën për tubim paqësor”, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së.

Borrell shton se BE-ja do të vazhdojë me të gjitha përpjekjet politike dhe diplomatike për të mbështetur dialogun në mënyrë që të arrihet një rrugëdalje nga kriza politike në mënyrë paqësore dhe përmes negociatave.

"BE rithekson mbështetjen e saj për përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për të lehtësuar dialogun dhe rivendosjen e legjitimitetit demokratik të institucioneve venezueliane", thekson Borrell në reagimin e tij ndaj zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR