• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

BE apelon për vaksinim më masiv kundër HPV dhe hepatitit B

BE apelon për vaksinim më masiv kundër HPV dhe hepatitit B

Bruksel, 21 qershor 2024 (MIA) - Këshilli i BE-së sot miratoi një Rekomandim për forcimin e luftës kundër formave të kancerit që mund të parandalohen me vaksina, me të cilin kërkohet nga shtetet anëtare të Unionit të shtojnë vaksinimin masiv kundër virusit papilloma humane (HPV) dhe virusit të hepatit B (HBV).

"Shumica e rasteve të kancerit mund të parandalohen. Përveç përballjes me faktorët e rrezikut si alkooli, duhani dhe dieta, vaksinimi mund të luajë një rol kyç në këtë drejtim, tha zëvendëskryeministri belg dhe ministri i Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Frank Vandenbruk me rastin e miratimit të Rekomandimit.

Vandenbruk, vendi i të cilit është kryesues aktual me BE-në, vlerësoi se Rekomandimi synon të forcojë parandalimin e kancerit duke rritur mbulimin e vaksinimit, ndërgjegjësimin e grupeve të synuara dhe forcimin e luftës kundër dezinformatave për vaksinat.

Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, rreth 40 për qind e rasteve me kancer janë rezultat i faktorëve mjedisorë, siç janë infeksionet me onkoviruse, në radhë të parë HPV dhe HBV.

"Vaksinimi kundër HPV dhe HBV mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të kancerit të shkaktuar nga këto viruse. Shkalla e vaksinimit kundër HPV dhe hepatitit B ndryshojnë në shtetet anëtare dhe ndikohen nga çështje të tilla si shqetësimet e për mbrojtjen e të dhënave personale, pëlqimi i prindërve dhe keqinformimi në lidhje me këto infeksione dhe vaksina", tha Këshilli i BE-së.

Me rekomandimin inkurajohen vendet anëtare të BE-së që të sigurojnë që të paktën 90 për qind e vajzave të vaksinohen kundër HPV deri në vitin 2030, rritje të dukshme të vaksinimit të djemve kundër virusit gjatë të njëjtës periudhë në mënyrë që të reduktohet rreziku i transmetimit, vaksinimi i 95 për qind të fëmijëve dhe të porsalindurve kundër HBV dhe sigurimin e një norme skriningu prej 95 për qind të grave shtatzëna.

Për të arritur këto synime, BE-ja rekomandon që shtetet anëtare të ofrojnë vaksinim falas dhe lehtësisht të aksesueshëm kundër HPV dhe HBV, të informojnë më mirë prindërit dhe të rinjtë për përfitimet e këtij vaksinimi, të luftojnë dezinformatat në lidhje me vaksinat dhe të integrojnë imunizimin kundër kancerit që mund të parandalohet me vaksina në planet e tyre kombëtare për të luftuar kancerin. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR