• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

BDI: Përbuzja ndaj zërit të shqiptarëve – një praktikë e vjetër, një gabim i madh

BDI: Përbuzja ndaj zërit të shqiptarëve – një praktikë e vjetër, një gabim i madh

Shkup, 9 dhjetor 2024

Gjatë periudhave më të errëta të regjimeve jugosllave, çdo zë i shqiptarëve, qoftë për drejtësi, barazi apo të drejtat e tyre themelore, trajtohej me ironi, sarkazëm dhe përbuzje. Pas këtyre qëndrimeve cinike, gjithmonë vinin kërcënimet, dhe përpjekjet për t’i shtypur ato zëra të drejtë. 

Historia dëshmon se këto metoda jo vetëm që nuk i kanë ndalur shqiptarët, por kanë forcuar qëndresën dhe vendosmërinë e tyre për të luftuar për drejtësi dhe barazi.

Gjithmonë, këto qasje të padrejta ndaj shqiptarëve kanë qenë të dizajnuara në Beograd, të zbatuara përmes aparatit shtetëror në Shkup dhe shpesh të mbuluara me disa figura shqiptare marioneta, të cilat kanë shërbyer si fasadë për këto politika.

E njëjta skemë po përsëritet edhe sot. Afërsia e rrezikshme mes kësaj qeverie jolegjitime dhe Beogradit është e dukshme, e manifestuar në emërimin e një figure si Stoilkoviq – një instrument i Putinit dhe Vulin-it – si zëvendëskryeministër për marrëdhëniet ndëretnike.

Për më tepër, disa politikanë shqiptarë të diskredituar dhe të refuzuar nga populli i tyre si në zgjedhjet presidenciale ashtu edhe në ato parlamentare po përdoren si mburojë për këto veprime antishqiptare dhe për të zhvlerësuar zërin e shqiptarëve.

Është e qartë se këto përpjekje për të shtypur dhe përçmuar shqetësimet legjitime të shqiptarëve nuk janë vetëm të padrejta, por edhe të rrezikshme për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.

Shqiptarët, një popull me një histori të gjatë qëndrese dhe sakrifice, nuk do të heshtin përballë përpjekjeve për të zhvlerësuar Marrëveshjen e Ohrit dhe për të minuar arritjet që garantojnë barazinë dhe drejtësinë në këtë vend.

I bëjmë thirrje kryeministrit dhe kësaj qeverie jolegjitime  të tërhiqen plotësisht nga agjenda për të zhvlerësuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe për të prishur themelet e Marrëveshjes së Ohrit. 

Kjo qasje regresive, përçarëse dhe e orkestruar, nuk ka vend në një shoqëri që synon një të ardhme evropiane dhe multietnike.

BDI qëndron fuqishëm në mbrojtje të të drejtave dhe arritjeve historike të shqiptarëve dhe të Marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët nuk do të lejojnë që stabiliteti dhe barazia të preken nga qasjet e vjetruara dhe destruktive që shkojnë kundër drejtësisë dhe të ardhmes së përbashkët të këtij vendi.

Bashkimi Demokratik për Integrim

___________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR