• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bauer: NATO nuk i lë partnerët e saj të përballen vetëm me sfidat dhe kërcënimet

Bauer: NATO nuk i lë partnerët e saj të përballen vetëm me sfidat dhe kërcënimet

Bruksel, 18 janar 2024 (MIA) – NATO është më e fortë dhe më e gatshme se kurrë më parë dhe së bashku kemi arritur një fuqizim të konsiderueshëm të sigurisë sonë kolektive, por duam dhe duhet të bëjmë më shumë për t'u përballur me të gjitha kërcënimet e mundshme, tha kryetari i Komitetit Ushtarak të Aleancës, Admirali Rob Bauer në konferencën për shtyp pas përfundimit të seancës dyditore të këtij organi ku bëjnë pjesë shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të vendeve anëtare të Paktit.

Ai theksoi se aleatët e NATO-s po punojnë për të përmirësuar zbatimin e planeve të reja ushtarake, në mënyrë që ato të mund të zbatohen me rrezik minimal.

Sipas tij, realizimi i strategjive dhe planeve të reja të NATO-s kërkon një qasje të re të të gjithë shoqërisë dhe parjen e situatës nga një këndvështrim tjetër, aplikimin e mënyrave të reja dhe të ndryshme të punës dhe akumulimin e këndvështrimeve të ndryshme për kërcënimin, në mënyrë që të të arrihet efikasitet më i madh.

Ne kemi nevojë për një qasje krejtësisht të re në bashkëpunimin e sektorit publik dhe privat në industrinë e mbrojtjes, shtoi Bauer.

Ai theksoi se në prag të Samitit të këtij viti në Uashington, NATO synon të forcojë partneritetin e saj me fqinjësinë jugore dhe për këtë qëllim sot anëtarët e Komitetit Ushtarak u takuan me homologët e tyre nga vendet e Grupit të Partneritetit për Avokimin e Ndëroperabilitetit (PIAG) dhe nga shtetet e rajonit Indo-Paqësor për të diskutuar situatën strategjike të sigurisë, sfidat dhe implikimet e tyre për sigurinë globale.

   

“Siguria nuk është lokale, ajo është e ndërlidhur, prandaj duhet të flasim me partnerët tanë për ngjarjet që na prekin të gjithëve. Takimi me partnerët na kujtoi se askush nuk lihet vetëm të përballet me sfidat dhe kërcënimet. Për sa kohë keni partnerë, keni zgjidhje më të mira”, thekson Bauer.

Ai gjithashtu informoi se anëtarët e Komitetit Ushtarak kanë pasur një takim me përfaqësuesin e Ukrainës në NATO, i cili i informoi për situatën në terren në konfliktin në vend dhe për nevojat e tij për mbrojtje.

“Edhe pse sulmet e fundit të Rusisë ishin më shkatërruesit deri më tani, ato nuk ishin efektive ushtarakisht dhe në të njëjtën kohë shihen suksese nga pala ukrainase. Nëse në vitin 2023 ishim shumë optimistë, është e nevojshme të mos bëhemi shumë pesimistë në vitin 2024. Sot është dita e 694-të e asaj që Rusia mendonte se do të ishte një luftë tre-ditore, por Ukraina mbijeton si një shtet sovran dhe i pavarur në Evropë dhe është më afër familjes euroatlantike se kurrë më pare”, shtoi Bauer.

Ai vuri në dukje se Rusia po përballet me humbje në rritje të njerëzve dhe pajisjeve dhe Ukraina ka arritur të zmbrapsë forcat ruse, duke rifituar kontrollin e rreth gjysmës së territorit të pushtuar nga rusët në fillim të luftës.

“Të gjithë anëtarët e Komitetit konfirmuan angazhimin e tyre të fortë për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat tona ukrainase në vetëmbrojtje të tyre. Kjo nuk është bamirësi, mbështetja e Ukrainës është një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë tone”, theksoi Bauer, duke shtuar se e vetmja mënyrë për të arritur në një pozicion negociues është të forcojmë Ukrainën në fushën e betejës.

 

Lidhur me pritshmëritë e konfliktit, Bauer tha se lufta nuk mund të planifikohet dhe parashikohet gjithmonë paraprakisht, por se Rusia ka të ngjarë të vazhdojë sulmet e saj, edhe pse përballet me mungesë të personelit dhe pajisjeve, duke e dëshmuar këtë me kthimin e saj drejt Iranit dhe Koresë së Veriut, për furnizimin me armë, dronë dhe raketa.

Sipas tij, të dy vendet janë në fazën e luftës kur nuk po përparojnë, por sigurisht që do të vazhdojnë me iniciativa dhe do të shohin mundësinë e realizimit të disa synimeve të tyre.

“Nëse rusët largohen nga Ukraina sot - lufta do të përfundojë. Por nëse ukrainasit pushojnë së luftuari, ata do të humbasin tokën e tyre. Nuk ka alternativë për ta. Ata duhet të vazhdojnë të luftojnë”, tha Bauer.

Sipas admiralit holandez, në planet e Aleancës thuhet se ndër kërcënimet me të cilat mund të përballet janë Rusia dhe grupet terroriste dhe për këtë NATO po përgatitet të përgjigjet nëse sulmohet dhe është e gatshme të përballet me kërcënime të tilla.

Komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, gjenerali Kristofer Kavoli, nga ana e tij, theksoi se NATO ka një plan dhe strategji për të forcuar sigurinë dhe mbrojtjen e zonës euroatlantike.

Në këtë kuadër, ai paralajmëroi mbajtjen e stërvitjes ushtarake “Mbrojtës i palëkundur 2024”, që do të fillojë javën e ardhshme dhe do të zgjasë deri në maj, me pjesëmarrjen e rreth 90 mijë ushtarëve nga anëtarët e NATO-s dhe Suedisë, gjë që i bën këto manovra të Aleancës një nga më të mëdhatë në dekadat e fundit.

“Mbrojtës i palëkundur 2024” do të jetë një demonstrim i qartë i unitetit, fuqisë dhe angazhimit tonë për të mbrojtur njëri-tjetrin, vlerat tona dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, shtoi Kavoli.

Ai theksoi se në kuadër të përpjekjeve për forcimin e NATO-s është edhe ngritja e Forcave Strategjike për Dislokim të Shpejtë, si një strukturë e re në Aleancë, me seli në Itali.

Në vërejtjen se po përsëriten të njëjtat njoftime të një viti më parë se NATO po planifikon reforma, fuqizim dhe përshtatje, Kavoli theksoi se i vjen keq që është lënë një përshtypje e tillë, duke theksuar se Komanda e Fuqive Aleate për Evropën, të cilën ai drejton, tashmë është riorganizuar në përputhje me zhvillimet aktuale në mënyrë që të mund të reagojë sipas nevojave.

Zëvendëskomandanti suprem i Forcave Aleate për Transformim, gjenerali Kris Badia, në fjalimin e tij në konferencën për shtyp theksoi se NATO duhet të jetë e gatshme t'i përgjigjet të gjitha sfidave me të cilat mund të përballet.

Për këtë, sipas tij, nevojitet një transformim në vazhdimësi, për ta bërë NATO-n më të mirë si në tokë, në ajër dhe në det, për të siguruar një komandim fleksibël, ndërveprueshmëri dhe aftësi për t'iu përgjigjur kërcënimeve.

Për të arritur të gjitha këto, sipas Badias, do të duhet ndërveprim dhe bashkëpunim për përdorimin e infrastrukturës civile për nevoja ushtarake, si dhe lidhje dhe sinergji midis elementëve ushtarakë dhe joushtarakë.

“Transformimi për NATO-n nuk është luks por domosdoshmëri dhe ne duhet të jemi gati për këtë”, theksoi Badia.

Në mbledhjen e Komitetit Ushtarak të NATO-s vendin tonë e përfaqësoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjenerall-nënkoloneli Vasko Gjurçinovski, i cili përveç pjesëmarrjes në seancat e Komitetit, pati takime edhe me kolegët e tij, me të cilit i diskutoi disa tema me interes të ndërsjellë dypalësh në sferën e mbrojtjes. ls/

Foto: NATO

 

QËNDRONI TË LIDHUR