• e premte, 27 dhjetor 2024

Bashkëngjitja e nëntë vendeve të reja do t'i kushtonte BE-së më shumë se 250 miliardë euro

Bashkëngjitja e nëntë vendeve të reja do t'i kushtonte BE-së më shumë se 250 miliardë euro

Londër, 4 tetor 2023 (MIA) - Zgjerimi i BE-së për të përfshirë nëntë vende të reja, përfshirë Ukrainën, do t'i kushtonte anëtarëve ekzistues më shumë se 256 miliardë euro (220 miliardë paund), raporton Gardian.

"Të gjitha shtetet anëtare do të duhet të paguajnë më shumë dhe të marrin më pak nga buxheti i BE-së dhe shumë shtete anëtare që aktualisht janë marrës neto do të bëhen kontribuues neto", thuhet në dokumentin e Sekretariatit të Këshillit të BE-së, në të cilin kishte qasje "Fajnenshëll tajms".

Ukraina, deri tani më e madhja nga nëntë vendet e pranuara si kandidate potenciale, do të ketë të drejtën e 186 miliardë eurove gjatë shtatë viteve, përveç kostove të rindërtimit të vendit, të cilat Banka Botërore i ka vlerësuar këtë vit në rreth 400 miliardë euro, shkruan gazeta. 

Zgjerimi është bërë një nga temat më urgjente për BE-në, ndërsa liderët u takuan të premten e kaluar për të diskutuar se si të drejtojnë debatin mbi çështjet kyçe, duke përfshirë buxhetin, numrin e vendeve në Parlamentin Evropian dhe nëse blloku i zgjeruar mund të vazhdojë të votojë unanimisht në zona të caktuara.

Një diplomat i lartë deklaroi për Gardian se buxheti pritet të jetë çështja e vetme më e diskutueshme dhe duhet të zgjidhet deri në vitin 2027, kur fillon cikli tjetër financiar, në mënyrë që BE-ja të tregojë se është gati dhe të heqë çdo justifikim për vonimin e diskutimeve të mëtejshme nëse dhe sa shpejt mund të bashkohen Ukraina, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor.

Në dokument vlerësohet se buxheti do të rritet me 21 për qind në 1.47 miliardë euro nëse të nëntë vendet bashkohen. Kjo do të nënkuptonte një rritje të konsiderueshme të kontributeve për Gjermaninë, Francën dhe Holandën me periudha kalimtare të nevojshme për të rritur financimin.

Shuma e shpenzuar për bujqësinë, gjithashtu do të ndryshojë, me Ukrainën që ka të drejtë për 95 miliardë euro gjatë shtatë viteve, një tjetër kosto që shtetet anëtare do të duhet të marrin parasysh. Një tjetër fond kyç i njohur si fondi i kohezionit, i cili siguron para për infrastrukturën në vendet më pak të zhvilluara do të ndikohej gjithashtu ndjeshëm nga zgjerimi. Sipas formulës aktuale të financimit, Republika Çeke, Estonia, Sllovenia, Qiproja, Malta dhe Lituania nuk do të kualifikohen më për fonde. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR