• e diel, 06 tetor 2024

Banka Qendrore e Kosovës publikoi plan tremujor për shfuqizimin e pagesës me dinarë

Banka Qendrore e Kosovës publikoi plan tremujor për shfuqizimin e pagesës me dinarë

Prishtinë, 12 shkurt 2024 (MIA) - Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar sot një plan të ri për zbatimin e vendimit për shfuqizimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa në para të gatshme, sipas të cilit faza kalimtare për zbatimin e rregullativës së re, e cila hyri në fuqi më 1 shkurt, do të zgjasë tre muaj, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Me planin e ri të tranzicionit, mes tjerash, parashihet funskionalizimi i linjës telefonike falas për informim të qytetarëve të bashkësisë me kombësi serbe të cilët shfrytëzojnë mjete nga Serbia dhe lehtësim të kushteve për hapjen e llogarive bankare. 

"BQK në kuadër të veprimeve të saj për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara, njofton opinionin publik lidhur me Planin me veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare: Funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800-222-55), e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në 'viber'. Lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare. Pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore", bëhet e ditur në kumtesën e BQK-së.

Vendosja e disa bankomatëve (ATM) si dhe pajisjeve të tjera për pagesa elektronike (POS), apo vet-shërbime financiare, si dhe lehtësimi i procesit të këmbimit të dinarëve me euro nga institucionet financiare dhe këmbimoret të licencuara. 

Nga 1 shkurti në Kosovë hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore, e cila i shfuqizon valutat e tjera, përfshirë edhe dinarin serb, për pagesa në para të gatshme. 

Shteti serb ndan miliona euro për serbët e Kosovës - përmes një sistemi paralel - për paga, pensione dhe ndihmë sociale. 

Rregullorja ishte kritikuar nga faktori ndërkombëtar, i cili thotë se vendimi është marrë pa konsultim paraprak. Bashkësia ndërkombëtare kërkoi nga Kosova që ta shtyjë zbatimin e tij, duke thënë se nevojitet më shumë kohë që bashkësia serbe të adaptohet për atë.

Mediat në Prishtinë theksojnë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi fushatë njëmujore për informimin e qytetarëve të nacionalitetit serb për ndryshimet në rregullore, përderisa bashkësia ndërkombëtare, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, kërkuan periudhë më të gjatë tranzicioni. 

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rode këto ditë deklaroi janë të nevojshme të paktën katër muaj me qëllim që të kryhen përgatitjet e nevojshme për pezullim pa dhimbje të dinarit. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR