• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Banka Qendrore e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin në Bruksel lidhur me dinarin

Banka Qendrore e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin në Bruksel lidhur me dinarin

Prishtinë, 26 shkurt 2024 (MIA) - Një ditë para takimit në Bruksel lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit si mjet pagese në Kosovë, Banka Qendrore e Kosovës ka konfirmuar se do të marrë pjesë në bisedimet me palën serbe, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në një prononcim për "Kohën" e Prishtinës (koha.net), BQK-ja ka bërë të ditur se që nga miratimi i rregullores me të cilën euro bëhet mjeti i vetëm i pagesës me para të gatshme në Kosovë, ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe të takohet me Bankën Popullore të Serbisë.

"Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro)..Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend", thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Për takimin e paraparë për të martën, në Qeverinë e Albin Kurtit nuk e kanë bërë të qartë se kush saktësisht do ta përfaqësojë Kosovën. Ndërkaq në Serbi kanë deklaruar se shefi i Zyrës për Kosovën dhe kryenegociatori Petar Petkoviq, do ta përfaqësojë Serbinë.

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociues i Kosovës në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Besnik Bislimi, paraprakisht deklaroi se në këtë takim nuk do të marrë pjesë niveli politik, pra kryenegociuesi dhe anëtarët e ekipit negociues. sa/ 

QËNDRONI TË LIDHUR