• e enjte, 26 dhjetor 2024

Banka Botërore: Rritje graduale dhe barazim i moshës së pensionimit për burrat dhe gratë dhe rritje graduale e normës së kontributit

Banka Botërore: Rritje graduale dhe barazim i moshës së pensionimit për burrat dhe gratë dhe rritje graduale e normës së kontributit

Shkup, 13 dhjetor 2024 (MIA) - Maqedonia e Veriut mund të përballet me borxhin në rritje dhe të sigurojë stabilitet makroekonomik duke përmirësuar gjendjen e saj fiskale përmes përforcimit të disiplinës buxhetore, duke përmirësuar efikasitetin e shpenzimeve publike dhe duke përmirësuar pagesën e taksave, theksohet në raportin e ri të Bankës Botërore "Rishikimin e financave publike të Maqedonisë së Veriut: Sigurimi i stabilitetit dhe forcimi i elasticitetit".

Në raport theksohet se strategjia e fundit me të cilën supozohet reduktimi i disbalancit fiskal me rritjen ekonomike, nuk solli rezultate të mjaftueshme. Në dekadën e fundit, vendi është përballur me deficite fiskale më të larta se vendet e Ballkanit Perëndimor me nivele të borxhit që tejkalojnë 62 për qind të Bruto prodhimit vendor (BPV).

"Për t'u përgatitur më mirë për të ardhmen, tani është thelbësore që Maqedonia e Veriut të fillojë të merret me sfidat fiskale", deklaroi Masimiliano Paoluçi, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, sigurimi i bazave të fuqishme makroekonomike mund të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe uljen e varfërisë përderisa vendi i afrohet anëtarësimit në BE.

Në pjesën e tatimeve, BB propozon rritjen e normës së TVSH-së nga 18 në 19 për qind dhe aktualisht heqjen e normës preferenciale për të gjitha mallrat, me përjashtim të produkteve bazë.

Në lidhje me qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve raporti potencon se qëllimi i reformës me shumë shtylla të këtij sistemi të prezantuar në vitin 2005 ishte përmirësimi i qëndrueshmërisë fiskale afatmesme dhe afatgjate duke ruajtur partneritetin e të drejtave ndër gjenerata, por se ky qëllim është vendosur në rrezik për shkak të ad-hok ndryshimeve të mëvonshme të politikave. Vendi ka ende një deficit pensionesh dhe pa reforma, siç vlerësojnë nga Banka Botërore, ai do të rritet edhe më shumë.

"Për përballjen me këto sfida janë propozuar disa politika për të reduktuar deficitin e pensioneve në kontekstin e një shoqërie gjithnjë e më të plakur. Ato përfshijnë heqjen e modelit të indeksimit të prezantuar së fundmi sipas çmimeve dhe pagave (a.q. model zviceran) dhe kthimin e indeksimit të mëparshëm në përputhje me indeksin e çmimeve me pakicë, një rritje graduale dhe barazimin e moshës së pensionit për meshkujt dhe gratë, dhe një rritje graduale në normën e kontributit. Një pako e kombinuar që integron që të tre politikat mund të sjellë rezultate më të balancuara dhe të parandalojë rritje të mëtutjeshme të shpenzimeve dhe deficiteve të pensioneve", theksohet në Raportin e BB-së.

Në raport theksohet se ka potencial të rëndësishëm për të përmirësuar pagesën e taksave dhe për optimizimin e shpenzimeve të sektorit publik. Vlerësimet e Bankës Botërore tregojnë se me zbatimin e masave të tilla si ulja e përjashtimeve nga TVSH-ja, zbatimi i tatimeve progresive mbi të ardhurat dhe rritja e taksave mjedisore dhe të pronës, të ardhurat nga taksat mund të rriten me 3.5 pikë përqindje nga BPV-ja.

Sipas raportit, duke përmirësuar pagesat e tatimeve dhe duke optimizuar shpenzimet, Maqedonia e Veriut ka mundësinë të zvogëlojë shpenzimet e huamarrjes dhe të ndajë më shumë burime për sektorët kryesorë thelbësorë për të ardhmen e saj, ashtu siç janë arsimi dhe shëndetësia. rq/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR