• e enjte, 26 dhjetor 2024

Banka Botërore: Ndryshimet klimatike do t'i kushtojnë Ballkanit Perëndimor miliarda dollarë

Banka Botërore: Ndryshimet klimatike do t'i kushtojnë Ballkanit Perëndimor miliarda dollarë

 Uashington, 17 korrik 2024 (MIA) - Gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë së bashku të paktën 37 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme për të mbrojtur në mënyrë adekuate qytetarët dhe pronat nga efektet gjithnjë e më të dëmshme të ndryshimeve klimatike, përfundohet në raportin rajonal për ndryshimin dhe zhvillimin klimatik (CCDR) të Bankës Botërore të publikuar sot.

 Zbatimi i masave të duhura për t'iu përgjigjur ndryshimeve klimatike mund të jetë shumë i dobishëm për Ballkanin Perëndimor, një rajon i përbërë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi. Këto investime do të ndihmonin në shmangien e humbjeve të jetës njerëzore, pronës dhe produktivitetit, por edhe për të stimuluar rritjen ekonomike.

 Mungesa e veprimit nuk është një opsion për rajonin, i cili tashmë është prekur shumë nga ndryshimet klimatike. Për shembull, gjatë dekadës së fundit, përmbytjet kanë prekur drejtpërdrejt dy milionë njerëz, ndërsa efektet e tyre do të përkeqësohen më tej nga shfaqja e ngjarjeve gjithnjë e më ekstreme të reshjeve.

 Zjarret pyjore  janë gjithashtu një kërcënim në rritje, nga të cilat mbi 1.500 janë regjistruar në vitin 2021, që korrespondon me një rritje prej 21 për qind në dekadën e fundit. Thatësirat ndikojnë negativisht në prodhimin bujqësor dhe valët e të nxehtit kontribuojnë në ndotjen e ajrit dhe kështu shkaktojnë mijëra vdekje të parakohshme çdo vit në Ballkanin Perëndimor.

 “Ndryshimet klimatike janë një kërcënim i qartë për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Shpenzimet e investimit në përshtatje janë të konsiderueshme. Megjithatë, lajmi i mirë është se përfitimet e këtyre investimeve janë edhe më të mëdha. Nëse përgatitemi për rreziqet klimatike, ne mund të shpëtojmë jetë, të ruajmë komunitetet lokale dhe të stimulojmë rritjen ekonomike”, tha Shaoking Ju, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore.

 Arritja e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050, në përputhje me objektivat e Bashkimit Evropian, do të kërkojë investime shtesë prej 32 miliardë dollarësh. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR