• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Balluku: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të lidhen me tunel dhe pikë të re kufitare

Balluku: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të lidhen me tunel dhe pikë të re kufitare

Tiranë, 11 dhjetor 2024 (MIA) - Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të lidhen me një pikë të re kufitare e cila do të krijohet nga ndërtimi i Korridorit 8, puna e të cilit vijon njëkohësisht nga të dyja anët, publikoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës së Shqipërisë, Belinda Balluku.

"Ndërkohë që ne ndërtojmë në drejtim të Maqedonisë së Veriut, edhe Maqedonia e Veriut ndërton në drejtim të Shqipërisë për t’u bashkuar në pikën e urës së Bushtricës që do të jetë edhe pika e re kufitare e cila do të bëhet përmes një tuneli", theksoi Balluku.

Pas inspektimit të punimeve që kryhen nga faza e tretë e rikonstruuimit dhe zgjerimit të plotë të pikës kufitare Elbasan – Qafë Thanë, ajo theksoi se projekti parashikon ndërtimin e dy urave 200 metra të gjata që do të lidhen me një tunel.

Duke u shprehur e kënaqur me dinamikën e kryerjes së punimeve theksoi se rruga Elbasan-Qafë Thanë është e kategorisë B, me katër korsi, nga dy në secilën dhe me shpejtësi minimale prej 110 kilometra në orë.

Nëse deri më tani kalimi i rrugës nga Qafë Thanë deri në Elbasan (50 km), zgjat 1 orë e 30 minuta, kjo distancë do të përshkohet në vetëm 35 minuta.

Projekti ka filluar të zbatohet në dhjetor të vitit 2022 dhe në qershor të këtij viti është vënë në përdorim për qarkullim një pjesë e këtij drejtimi rrugor në të cilin është vendosur sinjalistikë e nevojshme rrugore. rq/

Foto: FB Balluku

 

QËNDRONI TË LIDHUR