• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bajdeni: Nuk mendoj shumë për kërcënimet e Putinit, ai nuk do të fitojë në Ukrainë

Bajdeni: Nuk mendoj shumë për kërcënimet e Putinit, ai nuk do të fitojë në Ukrainë

Uashington, 14 shtator 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden në takimin me kryeministrin britanik Kir Starmer në Shtëpinë e Bardhë tha se nuk mendon shumë për kërcënimet e presidentit rus Vladimir Putin për luftën me NATO-n nëse aleatët perëndimor i lejojnë Ukrainë të sulmojë objektiva thellë në brendësinë e Rusisë, transmeton DPA.

Starmer deklaroi se muajt dhe javët në vijim do të jenë "vendimtare" për Ukrainën dhe tha se "është jetike" të dy vendet të vazhdojnë të mbështesin Kievin në luftën kundër Moskës.

Takimi Bajden-Starmer ndodhi në momentin kur presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka shprehur zhgënjimin e tij për shkak të kufizimeve të vazhdueshme për përdorimin e armëve perëndimore kundër objektivave ruse.

Presidenti rus Vladimir Putin u kërcënua se nëse Ukrainës i lejohet të sulmojë me armë me rreze të gjatë veprimi, kjo "do të thotë se vendet e NATO-s, SHBA-ja dhe vendet evropiane janë në luftë me Rusinë, ndërsa nëse është ashtu, atëherë, duke e marrë parasysh ndryshimin e vetë thelbit të konfliktit, Moska do të marrë vendime adekuate në bazë të kërcënimeve që do të krijohen".

Në pyetjen se ç'farë mendon për kërcënimin e Putinit nga lufta, Bajdeni u përgjigj: "Nuk pajtohem: nuk mendoj shumë për Vladimir Putinin. Putini nuk do ta fitojë këtë luftë".

Bajdeni e falënderoi Starmerin për "lidershipin" e tij dhe për mbështetjen britanike të Ukrainës. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR