Bajdeni e akuzoi Kongresin për "neglizhencë" të Ukrainës dhe e falënderoi Shollcin për ndihmën ushtarake për Kievin
- - Presidenti amerikan Xho Bajden deklaroi se Kongresi amerikan do të jetë fajtor për "neglizhencën gati kriminale" nëse nuk merr vendim për ndarjen e mjeteve për Ukrainën dhe e falënderoi kancelarin gjerman Ollaf Shollc për angazhimin e tij në sigurimin e ndihmës ushtarake gjermane për Kievin.
- Post By Fitore Curri
- 10:40, 10 shkurt, 2024
Uashington, 10 shkurt 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden deklaroi se Kongresi amerikan do të jetë fajtor për "neglizhencën gati kriminale" nëse nuk merr vendim për ndarjen e mjeteve për Ukrainën dhe e falënderoi kancelarin gjerman Ollaf Shollc për angazhimin e tij në sigurimin e ndihmës ushtarake gjermane për Kievin.
Shollci mbërriti në Uashington që t'i mbështesë përpjekjet e Bajdenit që të marrë mjete për Ukrainën dhe u takua me presidentin e SHBA-së në Shtëpinë e Bardhë.
Bajdeni dhe Shollci biseduan për luftën e Rusisë me fqinjin e saj më të vogël, si dhe për krizën në Lindjen e Afërt.
Duke folur me gazetarët para takimit, Shollci tha se ishte i inkurajuar nga vendimi i Senatit amerikan të enjten për të avancuar propozim-ligjin prej 95,34 miliardë dollarësh që përfshin ndihmën për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin pasi republikanët bllokuan rregulloren e kompromisit që përfshin reformat në politikën e imigracionit.
Shtëpia e Bardhë me muaj paralajmëron se refuzimi i deputetëve që t'i ofrojnë ndihmë Kievit do t'i bëjë dëm aftësisë së Ukrainës që të luftojë kundër Rusisë dy vite pasi Rusia e sulmoi vendin fqinj.
"Dështimi i Kongresit amerikan, nëse do të vinte deri aty, të mos vazhdonte të mbështeste Ukrainën do të ishte pothuajse kriminalisht neglizhencë. Është turp", tha Bajdeni nga Zyra Ovale, derisa Shollci ishte ulur pranë tij.
"Jam shumë i lumtur që në Evropë morëm vendime për të ofruar mbështetjen e nevojshme financiare për buxhetin", tha Shollci në anglisht. Gjithashtu, Gjermania ishte e gatshme të rriste mbështetjen e saj duke furnizuar me armë. Kancelari shtoi se ai shpresonte që Kongresi, Dhoma e Përfaqësuesve "do të ndjekë dhe të vendosë të sigurojë mbështetjen e nevojshme".
"Gjermania ka dhënë kohët e fundit një kontribut vendimtar në mbështetjen e Ukrainës për të zmbrapsur pushtimin rus në shkallë të plotë", theksoi Shollci. "Tani e njëjta gjë duhet të ndodhë në pjesën tjetër të Evropës dhe në SHBA", shtoi ai, duke theksuar se presidenti rus Vladimir Putin po mbështet faktin se mbështetja për Ukrainën do të bjerë.
"Ekziston qëllim i qartë, e ai është dëshira e presidentit rus që të aneksojë një pjesë të Ukrainës", tha Shollci. fc/
Fotografia: EPA