• e premte, 27 dhjetor 2024

Bajdeni do të miratojë 250 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën

Bajdeni do të miratojë 250 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën

Berlin, 6 shtator 2024 (MIA) -  Presidenti amerikan, Xho Bajden do të miratojë një ndihmë shtesë prej 250 milionë dollarë për Ukrainën, deklaroi sot sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lojd Ostin në fillim të takimit të Grupit të Kontaktit të mbrojtjes së Ukrainës, që po mbahet në bazën ushtarake Ramshtajn në Gjermani.

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski sot u bëri sërish thirrje aleatëve që të injorojnë "vijat e kuqe" të vendosura nga Moska dhe të lejojnë Kievin të përdorë armët perëndimore me rreze të gjatë veprimi për sulme në territorin rus.

"Ne duhet t'i kemi këto aftësi afatgjata jo vetëm në territorin e Ukrainës, por edhe në territorin e Rusisë, në mënyrë që Rusia të motivohet për të kërkuar paqen", potencoi Zelenski në fillim të takimit.

Ai shtoi se Rusia humbi 6.000 ushtarë në rajonin e Kurskut, të cilin forcat ukrainase e sulmuan më 6 gusht.

Zelenski në Ramshtajn do të ketë takime të ndara me kancelarin gjerman Olaf Shollc, kryeministren italiane Xhorxha Meloni, si dhe me ministrat e Mbrojtjes së SHBA-së dhe Gjermanisë, Lojd Ostin dhe Boris Pistorius.

Presidenti ukrainas për herë të parë po merr pjesë në një takim të një grupi prej rreth 50 vendesh të cilët furnizojnë Ukrainën me armë. Që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit kanë ofruar rreth 106 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë në Ukrainë. SHBA-ja ka siguruar në mënyrë të pavarur më shumë se 56 miliardë dollarë, thekson agjencia britanike. rq/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR