• e shtunë, 23 nëntor 2024

Bajdeni dhe Gutereshi u pajtuan që Libani nuk guxon "të bëhet edhe një Gazë"

Bajdeni dhe Gutereshi u pajtuan që Libani nuk guxon

Nju Jork, 24 shtator 2024 (MIA) – Presidenti amerikan Xhozef Bajden sot paralajmëroi për intensifikim të mëtutjeshëm të luftërave mes Izraelit dhe Hezbollahut. 

"Një luftë në shkallë të gjerë nuk është në interesin e askujt... Edhe pse situata po përshkallëzohet, një zgjidhje diplomatike është ende e mundur", tha Bajdeni në mbledhjen e KB-së.

Bajdeni, gjithashtu, e shfrytëzoi fjalimin e tij të fundit si president në takimin në nivel të lartë të KB-së që përsëri ta dënojë sulmin e tetorit të Hamasit ndaj shtetit hebraik.

Por, ai gjithashtu, e pranoi krizën humanitare në Rripin e Gazës pas përgjigjes masive të Izraelit dhe dhunës së kryer nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të okupuar. 

“Kam lidhur një marrëveshje me Katarin dhe Egjiptin për armëpushim dhe për pengjet... Është miratuar nga Këshilli i Sigurisë së KB-së. Tani është koha që palët të finalizojnë kushtet e saj, të sjellin pengjet në shtëpi dhe të garantojnë sigurinë për Izraelin dhe Gazën”, tha ai për planin e SHBA-së për t'i dhënë fund luftimeve në Gazë.

Në afat të gjatë, Bajdeni edhe një herë u deklarua për zgjidhje me dy shtet, “ku Izraeli gëzon siguri dhe paqe” dhe “ku palestinezët jetojnë në siguri, dinjitet dhe vetëvendosje në shtetin e tyre”. 

Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe Hamasi për momentin e hedhin poshtë zgjidhjen për dy shtete. 

Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, sot i porositi liderët botërorë se Libani nuk guxon “të bëhet edhe një Gazë”, pasi sulmet ajrore izraelite ndaj milicisë së Hezbollahut aty vranë më shumë se 550 njerëz. 

“Libani është në prag”, tha ai në hapjen e javës vjetore të debatit të nivelit të lartë të KB-së në Nju Jork, e cila mbledh së bashku liderë botërorë nga e gjithë bota. fc/

Fotografia: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR