• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bajden - Starmer: Marrëdhëniet amerikano - britanike më të forta se kurrë

Bajden - Starmer: Marrëdhëniet amerikano - britanike më të forta se kurrë

Uashington, 11 korrik 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden e priti kryeministrin e ri britanik Kir Starmer në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington. Bajdeni e përshkroi Mbretërinë e Bashkuar si mbështetje që e lidh aleancën transatlantike bashkë. 

Kryeministri britanik shton se të dyja vendet duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe se lidhja amerikano - britanike është e veçantë dhe më e fortë se kurrë. 

"Mbretërinë e Bashkuar e shoh si pikë lidhëse që e lidh aleancën transatlantike", deklaroi Xho Bajden.

"Urime për samitin e suksesshëm. Ai është moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, 75 vjet NATO më e madhe dhe më e fuqishme, me vendosmërinë që na duhet. Lidhja e veçantë aq e rëndësishme, e krijuar në rrethana të vështira dhe e ruajtur aq gjatë, është më e fortë se kurrë", vazhdoi kryeministri i sapozgjedhur britanik Kir Starmer. 

Në kumtesën për mediat, kabineti i kryeministrit Starmer njoftoi se kryeministri dhe Bajdeni kanë biseduar për rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën dhe përpjekjet që të arrihet armëpushim në Gazë sa më shpejtë që është e mundur. 

"Ata ranë dakord që SHBA-ja dhe Britania e Madhe duhet të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur Ukrainën dhe për të siguruar që agresorët si Putini të mos fitojnë. Duke vazhduar të diskutojnë për situatën në Izrael dhe Gazë, ata biseduan për ambicien e tyre të përbashkët për armëpushim të menjëhershëm për lirimin e pengjeve, dhënien e ndihmës humanitare dhe përparimin drejt një zgjidhjeje me dy shtete. Presidenti përshëndeti komentet e fundit të kryeministrit për vendosjen e marrëdhënieve më të afërta me homologët evropianë, si dhe angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për AUKUS. Ata thanë se jemi në një kohë kur po përballemi me sfida në rritje në mbarë botën dhe se jemi më të fortë kur bashkohemi dhe punojmë së bashku", thuhet në kumtesë. fc/

Fotografia: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR