• e hënë, 15 korrik 2024

Bajden: Politika kurrë nuk duhet të shndërrohet në fushëbetejë

Bajden: Politika kurrë nuk duhet të shndërrohet në fushëbetejë

Uashington, 15 korrik 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden mbrëmë duke folur nga Zyra ovale e Shtëpisë së Bardhë theksoi nevojën për bashkim pas atentatit ndaj rivalit të tij republikan Donald Tramp.

Sulmi ndaj ish-presidentit Tramp është një “thirrje ndaj të gjithëve ne, që të reflektojmë”, tha Bajden, duke shtuar që “Fatmirësisht (presidenti) Tramp nuk u lëndua rëndë”.

Politika nuk duhet të shndërrohet në fushëbetejë, tha Bajden, duke shtuar se të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me fletëvotim.

Ai paralajmëroi lidhur me rreziqet e dhunës politike në SHBA, duke thënë se dhuna nuk është zgjidhje.

“Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune për asnjë lloj dhune.Në demokracinë amerikane argumentet paraqiten në mirëbesim. Në demokracinë amerikane respektohet sundimi i ligjit”, theksoi presidenti amerikan.

Ishte hera e tretë që Bajden fliste nga Zyra ovale për të komentuar mbi çështje me rëndësi kritike për amerikanët që kur mori detyrën në vitin 2021.

Tetorin e kaluar ai mbajti një fjalim mbi konfliktet në Gazë dhe Ukrainë, ndërsa në qershor të vitit 2023 ai iu drejtua amerikanëve për një marrëveshje me republikanët lidhur me buxhetin.

Dhuna me armë është diçka që ndodh shpesh në SHBA, por dhuna politike është shumë më e rrallë.

Katër presidentë amerikanë janë vrarë dhe disa u kanë shpëtuar atentateve. Shumë kandidatë presidencialë janë vënë në shënjestër, disa prej të cilëve kanë humbur jetën.

Bajden dhe ekipi i tij po përpiqen të modifikojnë mesazhin e fushatës pas atentatit ndaj Trampit.

Disa orë pas atentatit, fushata e Bajdenit tërhoqi reklamat televizive dhe po pezullon komunikimet e tjera politike. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR