• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bajdeni në konventën e demokratëve: Po luftojmë për shpirtin e Amerikës

Bajdeni në konventën e demokratëve: Po luftojmë për shpirtin e Amerikës

Çikago, 20 gusht 2024 (MIA) – Presidenti i SHBA-së Xho Bajden u është drejtuar pjesëmarrësve të Konventës kombëtare të demokratëve në Çikago ku duhet të zyrtarizohet kandidatura e Kamala Harisit për postin e presidentes.

Më pak se një muaj pas tërheqjes nga gara, Bajdeni u mirëprit dhe u përshëndet si një hero në konventë.

Fjalimin e Bajdenit zyrtarisht e paralajmëroi vajza e tij, Eshli Bajden, ndërsa duartrokitjet para fjalimit të tij zgjatën tre minuta.

Turma brohoriti "Të duam Xho" ku ai u përgjigj se i do ata dhe Amerikën, shkruan Zëri i Amerikës.

"Më lejoni t'ju pyes: A jeni gati të votoni për lirinë? A jeni gati të zgjidhni Kamala Harisin dhe Tim Volcin?", pyeti Bajdeni.

Ai tha se demokratët u mblodhën në vitin 2020 për të shpëtuar demokracinë.

"Demokracia fitoi. Ne sollëm demokracinë. Dhe tani demokracia duhet të ruhet. Para nesh është një pikë kthese. Një nga ato momente të rralla në histori kur vendimet që marrim tani do të përcaktojnë fatin e kombit tonë dhe të botës për dekadat e ardhshme. Kjo nuk është hiperbolë. Ne po luftojmë për shpirtin e Amerikës", ka thënë Bajdeni.

Ai tha se nuk është Tramp dhe nuk do të demonizojë emigrantët për të cilët kandidati republikan pretendon se kanë "helmuar gjakun e Amerikës".

Bajdeni foli gjithashtu edhe për përfundimin e luftës në Gazë dhe se si e nënshkroi marrëveshjen e paqes në Gazë dhe se punon gjatë gjithë kohës për t'u dhënë fund vuajtjeve të popullit palestinez.

"Protestuesit në rrugë kanë të drejtë. Shumë njerëz të pafajshëm po vdesin nga të dyja anët", ka thënë Bajdeni.

Ai shtoi se Haris është personaliteti më i mirë për të përfunduar punën që e filloi – për të mposhtur rivalin republikan Donald Tramp dhe të mbrojë demokracinë amerikane prej tij.

Zonja e parë e SHBA-së, Xhill Bajden para bashkëshortit të saj foli se si ai vendosi të heqë dorë nga kandidatura.

"E pashë se si e mundonte thellë në shpirtin e tij që të mos kërkojë rizgjedhje dhe të mbështesë Kamala Harisin. Djali ynë Bo për herë të parë punoi me Kamalën kur ishte prokuror i përgjithshëm i Delaverit. Një natë më tha gjatë darkës. Nënë, ajo është e veçantë. Dikush për të cilën duhet patur kujdes. Dhe kishte të drejtë. Xho dhe unë kemi parë guximin e saj, vendosmërinë dhe ajo se çfarë lidere është. Kamala dhe Tim, ju do të fitoni", ka thënë Xhill Bajden.

Në fillim të konventës në skenë papritur u paraqit Kamala Haris dhe përshëndeti shkurtë delegatët.

"Kjo do të jetë një javë e mrekullueshme. Dua të filloj me atë duke përshëndetur presidentin tonë të cilit i jemi përjetësisht mirënjohës. Duam të luftojmë për idealet që janë afër zemrave tona. Kur luftojmë, fitojmë”, tha ajo.

Në natën e parë të konventës kanë folur edhe ish sekretarja e shtetit Hillari Klinton dhe trajneri i "skuadrës së ëndrrave" të basketbollit amerikan, Stiv Ker.

Kongresi i demokratëve përfundon të enjten.

Në Konvetën e sotme duhet të flasin ish presidenti Barak Obama dhe bashkëshorti i Kamala Harisit, Dag Emhof, ndërsa nesër kandidati për nënpresident Tim Volc.

Më pas paraqitje do të ketë edhe ish presidenti Bill Klinton.

Fjalimi i Kamala Harisit është planifikuar për të enjten, kur pritet që edhe zyrtarisht ta pranojë kandidaturën me [ka do të përfundojë konventa. 

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR