• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bajden dhe Modi mirëpritën epokën e re në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Indisë

Bajden dhe Modi mirëpritën epokën e re në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Indisë

Uashington, 23 qershor 2023 (MIA) - Presidenti i SHBA-së Xho Bajden dhe kryeministri indian Narendra Modi në takimin e mbrëmshëm në Shtëpinë e Bardhë përshëndetën hapjen e epokës së re në marrëdhëniet e vendeve të tyre dhe paralajmëruan marrëveshje që synon të kundërshtojë ndikimin global kinez.

"Partneriteti është gjithnjë e më i fuqishëm, më i ngushtë dhe më dinamik se kurrë më parë", ka thënë Bajden në konferencën e përbashkët për shtyp me Modin, duke shtuar se tregtia është dyfishuar në dekadën e fundit dhe se dy demokracitë më të fuqishme në botë po bashkëpunojnë për klimën, shëndetin, kujdesin shëndetësor dhe teknologjinë hapësinore.

As Bajdeni dhe as Modi nuk drejtuan kritika të drejtpërdrejta ndaj Pekinit, por pati aludime ndaj qeverisë së udhëhequr nga Si Xhinping.

"Retë e errëta të detyrimit dhe konfliktit hedhin hije mbi Indo-paqësorin. Stabiliteti i rajonit është bërë një nga shqetësimet kryesore të partneritetit tonë", ka thënë Modi teksa iu drejtua Kongresit amerikan.

Në takim të dy vendet paralajmëruan nënshkrimin e marrëveshjeve për gjysmëpërçuesit, mineralet kritike, teknologjinë, bashkëpunimin hapësinor dhe bashkëpunimin në mbrojtje dhe shitje.

India është vendi më i populluar me 1.4 miliardë banorë dhe është ekonomia e pestë më e madhe, ndërsa Modi po përpiqet të përmirësojë pozicionin e tij në nivel ndërkombëtar në një kohë të marrëdhënieve të tensionuara me Kinën.

Uashingtoni është i shqetësuar për lidhjet e ngushta të Indisë me Rusinë. Modi këtu shmangu të përmend drejtpërdrejtë Rusinë, por para Kongresit theksoi se konflikti në Ukrainë "po shkakton dhimbje të madhe në rajon, sepse janë përfshirë fuqi të mëdha, rezultatet janë serioze".

SHBA është partneri më i madh tregtar i Indisë, por Uashingtoni ka marrëdhënie shumë më të mëdha tregtare me Kinën, BE-në dhe Kanadanë.

Foto: DPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR