• e enjte, 26 dhjetor 2024

Azerbajxhani filloi "operacione antiterroriste" në Nagorno Karabah, Rusia bën thirrje për ndërprerje të gjakderdhjes

Azerbajxhani filloi

Baku, 19 shtator 2023 (MIA) - Azerbajxhani sot njoftoi se ka filluar "operacione antiterosite" kundër forcave armene në Nagorno Karabah, që me dekada është territor kontestues mes të dyja vendeve dhe shkak për disa përleshje ushtarake. 

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi se operacioni "me ndihmën e armës me precizitet të lartë" ka filluar disa orë pas vdekjes së katër ushtarëve dhe dy civilëve në shpërthimin e një mine në Nagorno Karabah, një nga rajonet më të minuara në botë.

Gazetarët e Frans pres informuan se kanë dëgjuar shpërthime në Stepanakert, kryeqytetin e Nagorno Karabahut. 

Nagorno Karabahu dhe një pjesë e madhe e territoreve përreth janë nën kontroll armen nga fundi i luftës separatiste në vitin 1994, por Azerbajxhani i ktheu këto territore në luftën gjashtëjavore në vitin 2020, e cila përfundoi me ndërprerjen e zjarrit me ndëmjetësim të Rusisë, ndërsa që atëherë gjendet edhe kontingjenti i paqëruajtësve rusë. 

Azerbajxhani thotë se pas armëpushimit, Armenia kontrabandon armë në këtë rajon. Për shkak të këtyre akuzave, është bllokuar rruga e vetme e cila e lidh Nagorno Karabahun me Armeninë, gjë që shkaktoi mungesë të ushqimit dhe ilaçeve në atë rajon.

Jerevani e akuzon Bakun, i cili i mohon akuzat, se ka shkaktuar krizë humanitare në Nagorno Karabah me bllokimin e "Korridorit Laçin" nga fundi i vitit 2022, ndërsa e akuzon edhe Rusinë se nuk bën asgjë. 

Rusia sot i bëri thirrje Azerbajxhanit dhe Armenisë që ta "ndërpresin gjakderdhjen" në Nagorno Karabah dhe të kthehen në "zgjidhje paqësore" të situatës në këtë enklavë.

Zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zaharova deklaroi se "Rusia urgjentisht bën thirrje për ndërprerje të gjakderdhjes dhe kthimin e zgjidhjes paqësore", duke shtuar se "të gjitha fazat e zgjidhjes paqësore janë precizuar në marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2020 dhe 2022". fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR