• e enjte, 26 dhjetor 2024

Autostrada Selanik - Athinë do të jetë e mbyllur edhe të paktën dy ditë

Autostrada Selanik - Athinë do të jetë e mbyllur edhe të paktën dy ditë

Athinë, 12 shtator 2023 (MIA) - Të paktën dy ditë do të jenë të nevojshme që të zgjidhet problemi me vërshimet në autostradën Selanik - Athinë, me çka edhe më tutje mbetet e mbyllur për komunikacion pjesa rreth Larisës në dy drejtimet, ndërsa automjetet ridrejtohen nëpër rrugë alternative, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. 

Edhe më i madh është problemi në lidhjen hekurudhore të Athinës dhe Selanikut duke pasur parasysh atë që dëmet në rrjetin hekurudhor janë të mëdha, ndërsa sanimi do të zgjasë një periudhë të gjatë kohore. 

Struktura rrugore dhe hekurudhore në zonat e përmbytura, së bashku me dhënien e ndihmës për banorët e 21 fshatrave të Thesalisë të prekur nga stuhia "Daniel", nxjerrja e ujit, hapja e rrugëve ishin temat e diskutuara në mbledhjen e mëngjesit tëQendrës Operative Koordinuese në periferi të Thesalisë, ku morën pjesë ministrat dhe zëvendësit kompetentë.

Shtatë nga 21 fshatra nuk kanë qasje në rrugë sepse niveli i ujit ende nuk është ulur, ndërsa ekipe të Shërbimit zjarrfikës, armatës dhe periferisë, në bashkëpunim me komunat sigurojnë ujë, ushqim, karburant për gjeneratorë ose çkado që kërkojnë bashkësitë lokale dhe banorët. 

Në mbledhje ishte theksuar çështja e shëndetit publik, ndërsa Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje banorëve që t'i ndjekin udhëzimet për mbrojtje. 

Deri sot në mëngjes ishin gjetur, kremosur ose varrosur mbi 15.000 kafshë të vdekura në bazë të rregullave sanitare, prej të cilave 7.750 dje, ndërsa kujdesi i kompetentëve tani është drejtuar ndaj kafshëve të ngordhura të cilat janë në hapësira të mbyllura. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR