• e enjte, 26 dhjetor 2024

Autoritetet në Territoret Veriperëndimore të Kanadasë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve

Autoritetet në Territoret Veriperëndimore të Kanadasë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve

Otavë, 16 gusht 2023 (MIA) - Qeveria e Territoreve Veriperëndimore të Kanadasë ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve, duke u dhënë autoriteteve kompetenca shtesë për t'iu përgjigjur emergjencave.

Qeveria kanadeze tha dje se ka miratuar ndihmën federale për të luftuar zjarret në pyje dhe vendosjen e forcave të armatosura për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve në Territoret Veriperëndimore, njoftuan mediat britanike.

Një gjendje e jashtëzakonshme u shpall gjithashtu në kryeqytetin Jellounajf vonë të hënën në mbrëmje për shkak të rreziqeve të mundshme nga zjarret aty pranë. Masa është marrë si masë paraprake dhe banorët nuk janë urdhëruar të evakuohen, njoftuan autoritetet e qytetit.

Jellounajf ndodhet 450 kilometra në jug të Rrethit Arktik dhe me rreth 20,000 banorë është një nga vendbanimet më të mëdha në veriun pak të populluar të Kanadasë.

Banorët e shumicës së komuniteteve në rajonin e Sllejv, në pjesën jugore të Territoreve Veriperëndimore, të cilat kufizohen me provincën e Albertës, u urdhëruan të evakuoheshin gjatë fundjavës.

Fshati Enterprajs, me më shumë se 100 banorë, është shkatërruar pothuajse tërësisht nga zjarri, raportoi dje Si-Bi-Si Njuz.

Zjarret kanë shkatërruar pjesë të pothuajse të gjitha 13 provincave dhe territoreve të Kanadasë këtë vit, duke djegur më shumë se 130,000 kilometra katrorë tokë.

Nga fillimi i vitit në Territoret Veriperëndimore ka pasur 265 zjarre, që është më shumë mbi mesataren vjetore 10-vjeçare prej 185. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR