• e martë, 24 dhjetor 2024

Atentatori nuk është pajtuar me politikat qeveritare të Ficos

Atentatori nuk është pajtuar me politikat qeveritare të Ficos

Bratislavë, 15 maj 2024 (MIA) – Në një incizim gjatë marrjes në pyetje, të publikuar në rrjetin social X, personi që qëlloi kryeministrin sllovak Robert Fico, shkrimtari sllovak Juraj Cintula thotë se këtë e ka bërë sepse nuk ka qenë dakord me politikën e qeverisë.

Mediat sllovake sot bënë të ditur se atentatori është shkrimtari i njohur 71-vjeçar Juraj Cintula. Ai është themeluesi i klubit letrar Duha dhe anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve sllovak. Skaj njuz raporton se ai ka qenë një ish roje në një qendër tregtare.

Aktuality.sk transmeton deklaratën e djalit të atentatorit i cili pretendon se babai i tij ka pasur leje për armë.

"Absolutisht nuk kam ide se çfarë donte, planifikonte, çfarë ka ndodhur me babanë tim", tha djali i tij.

Fico është plagosur nga disa të shtëna në gjoks dhe stomak, pasi në vendin Handlova, 150 kilometra larg Bratislavës sapo kishte përfunduar mbledhja e qeverisë.  Atentati ka ndodhur kur Fico ka shkuar të përshëndetet me qytetarët e tubuar në sheshin e qytetit.

Sipas informacioneve, kryeministri i Sllovakisë është qëlluar me disa të shtëna në gjoks dhe stomak. Ai me urgjencë është transportuar me helikopter në spital, por gjendja e tij është shumë e rëndë. Qeveria sllovake sonte kumtoi se Fico është në gjendje të rëndë për jetën.

Ministri i Mbrojtjes, Robert Kalinak sonte deklaroi se operacioni i Ficos po zgjat tashmë tre orë dhe se situata është kritike.

QËNDRONI TË LIDHUR