• e enjte, 26 dhjetor 2024

Asadi iku nga Damasku, rebelët e shpallën Sirinë të lirë

Asadi iku nga Damasku, rebelët e shpallën Sirinë të lirë

Damask, 8 dhjetor 2024 (MIA) - Rebelët në Siri kanë hyrë në kryeqytetin Damask pa hasur në rezistencë serioze. Pak para kësaj, presidenti sirian Bashar al-Asad u largua sot nga Damasku me aeroplan, duke ikur nga qyteti në një drejtim të panjohur, konfirmuan për "Rojters" dy oficerë të lartë të armatës siriane, raporton Skaj Njuz.

Sipas Rami Abdel Rahman, drejtor i Qendrës Siriane për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut, Asad mund të jetë larguar nga vendi.

Mijëra banorë të Damaskut u mblodhën në qendër të qytetit, në këmbë ose me makina, duke festuar dhe bërtitur "Liri!", thanë dëshmitarët.

Rebelët thanë në një deklaratë se po festonin "lirimin e të burgosurve" nga burgu ushtarak "Sednaja", një simbol i regjimit të Asadit. Burgu ndodhet në periferi të Damaskut dhe ishte një vend ku u burgosën mijëra aktivistë të opozitës.

Më herët, rebelët njoftuan se kishin marrë nën kontroll qytetin kyç të Homsit dhe duke hyrë në Damask, i dhanë fund sundimit 24-vjeçar të Asadit. Dëshmitarët okularë raportojnë se mëngjesin e sotëm ka pasur një shkëmbim zjarri intensiv në qendër të qytetit, pas së cilës televizioni "Al Hadat" raportoi se kryengritësit pushtuan disa ndërtesa shtetërore, duke përfshirë edhe ndërtesën e televizionit shtetëror.

Në zonat bujqësore në jugperëndim të Damaskut, të rinjtë vendas dhe ish rebelët dolën në rrugë për të shprehur gëzimin për rënien e regjimit. Në Homs, banorët brohoritën "Asad është zhdukur, Homsi është i lirë dhe "Rroftë Siria, poshtë Asadi!".

Rebelët festuan fitoren duke qëlluar në ajër dhe të rinjtë grisën imazhin e Asadit në postera në të gjithë qytetin. Regjimi ra vetëm një javë pasi filloi ofensiva e rebelëve.

Kryeministri sirian Mohamed al-Xhalali tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me çdo udhëheqje "të re", e cila do të zgjidhet nga populli. Ai shtoi se do të jetë në zyrën e tij për të lehtësuar "dorëzimin e pushtetit".

"Ky vend mund të jetë një vend normal, duke ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët e tij dhe me botën [...] por do të jetë një çështje e udhëheqjes që do të zgjidhet nga populli sirian, dhe ne jemi të gatshëm t'i ndihmojmë dhe t'i ofrojmë çdo lehtësim të mundshëm", tha Al Xhalali në një video të postuar në llogarinë e tij në Fejsbuk.

Grupet rebele që hynë në kryeqytetin sirian këtë mëngjes njoftuan për "arratisjen" e "tiranit" Bashar Asad, duke u bërë thirrje sirianëve në mërgim jashtë vendit të kthehen në "Sirinë e lirë" dhe duke shpallur "Damaskun e çliruar nga tirania".

"Tirani Bashar Asad ka ikur" dhe "ne e shpallim qytetin e Damaskut të lirë", njoftoi koalicioni i grupeve rebele në mesazhet e shpërndara në aplikacionin Telegram. "Pas 50 vitesh shtypje nën sundimin e partisë Baat dhe 13 vite krime, tirani dhe shpërngulje (të detyruara)... sot ne shpallim fundin e kësaj periudhe të errët dhe fillimin e një epoke të re për Sirinë", shtuan rebelët.

Komanda e rebelëve u ka urdhëruar të mos iu afrohen institucioneve shtetërore, të cilat do të qëndrojnë nën mbikëqyrjen e kryeministrit deri në "transferimin zyrtar të pushtetit". sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR