• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Arrihet liberalizimi në transportin e mallrave për dhe nga vende të treta me Malin e Zi

Arrihet liberalizimi në transportin e mallrave për dhe nga vende të treta me Malin e Zi

Shkup, 29 mars 2024 (MIA) - Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi nënshkruan Protokoll për liberalizimin e transportit të mallrave për dhe nga vendet e treta. Sipas Protokollit, liberalizimi do të hyjë në fuqi më 1 maj të vitit 2024 dhe do të jetë i vlefshëm për një vit, periudhë gjatë së cilës do të analizohet situata në transportin rrugor ndërkombëtar, e gjitha me synimin për të arritur lirimin përfundimtar nga sistemi i lejeve edhe në periudhën në vijim. Kjo është arritur në mbledhjen e komisionit të përzier maqedono-malazez për transport ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, që u mbajt në Shkup.

Siç njofton Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, deri më tani në bazë të reciprocitetit, dy vendet kanë shkëmbyer gjithsej 300 leje për dhe nga vendet e treta, të cilat kishin një rëndësi të madhe për transportin e mallrave.

"Liberalizimi është një hap përpara drejt heqjes së të gjitha procedurave administrative në lidhje me lejet, proces që do të kontribuojë në transport më të shpejtë dhe më efikas si dhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Me Protokollin, gjithashtu të dyja palët morën përsipër të qasen drejt njohjes reciproke të Certifikatave për kompetencë profesionale të drejtuesve të mjeteve për pjesëmarrje në trafikun rrugor ndërkombëtar. Në takim u harmonizuan edhe procedurat në fushën e transportit të udhëtarëve mes dy vendeve", bën të ditur Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Ky është takimi i parë i komisionit të përzier maqedono-malazez për transport ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave pas trembëdhjetë vjetësh, në të cilin janë miratuar një sërë masash që përmirësojnë ndjeshëm bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në fushën e transportit rrugor dhe mallrave. mb/

Foto: Ministria e Transportit dhe Lidhjeve

 

QËNDRONI TË LIDHUR