• e martë, 24 dhjetor 2024

Arrestohet edhe një person për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc në veri të Kosovës, tek ai janë gjetur armë dhe municion

Arrestohet edhe një person për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc në veri të Kosovës, tek ai janë gjetur armë dhe municion

Prishtinë, 2 dhjetor 2024 (MIA) - Policia e Kosovës kumtoi se ka arrestuar edhe një të dyshuar për sulmin të premten me mjet shpërthyes në kanalin Ibër-Lepenc në Varaga, Zubin Potok, në veri të Kosovës, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në kumtesën policore supozohet se i arrestuari ka pasur rol të rëndësishëm në grupin përgjegjës për sulmin terrorist.

"Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, me datën 01/12/2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike", thuhet në kumtesë.

Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur bomba dore, armë, municion dhe pajisje ushtarake.

"Në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, është zbatuar kontrolli në shtëpinë ku banonte i dyshuari, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi dhe prova materiale, si më poshtë: katër granata dore, një pushkë gjuetie, mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës automatike AK-47, një karikator i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit me urdhër të prokurorit përgjegjës të prokurorisë speciale iu shqiptua masa paraburgimi prej 48 orëve.

Sipas policisë, gjendja në veri të Kosovës është e qetë, por e brishtë.

"Gjendja e sigurisë në veri të vendit është e qetë, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi, është e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, si rasti i fundit i sulmit kriminal terrorist, i ndodhur ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit, dhe për këtë vazhdojnë masat shtesë të PK-së", thuhet në kumtesë.

Paraprakisht, të shtunën, në një aksion të madh të policisë së Kosovës në veri të Kosovës, të banuar me popullatë shumicë serbe, janë arestuar tetë persona, ndërsa janë konfiskuar edhe shumë materiale dëshmuese, si dhe një arsenal i armës dhe municionit, mjeteve shpërthyese, pajisjes së llojllojshme, duke përfshirë edhe qindra uniforma dhe pajisje ushtarake. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR