• e shtunë, 23 nëntor 2024

Arrestohen në Kosovë një burrë dhe një grua, shtetas rusë- kanë hyrë nga Serbia pa viza

Arrestohen në Kosovë një burrë dhe një grua, shtetas rusë- kanë hyrë nga Serbia pa viza

Prishtinë, 6 maj 2024 (MIA) - Një burrë dhe një grua me pasaporta ruse janë ndaluar mbrëmë në pikën kufitare Jarinje midis Serbisë dhe Kosovës nga policia e Kosovës për shkak të dyshimit se më parë kanë hyrë në vend përmes rrugëve ilegale, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Dy personat në vendkalimin në anën e Kosovës, gjatë tentimit të largohen nga vendi, kanë arrit mbrëmë rreth orës 20, ndërsa policisë i kanë dhënë për mbikëqyrje dy pasaporta të Federatës ruse, ndërsa sipas policisë nuk kanë pasur viza për të udhëtuar në Kosovë.

“Në dalje të pikës kufitare Jarinje janë hasur dy persona me pasaportë ruse (një mashkull dhe një femër) të cilët nuk kanë pasur viza për në Republikën e Kosovës, ku pas kontrollit është konstatuar se personat nuk kanë pasur hyrje/dalje në Republika e Kosovës. Sipas tyre, ata kanë ardhur nga Nishi i Serbisë dhe kanë përfunduar në pikën kufitare Jarinje. Supozohet se kanë ardhur përmes rrugëve të paligjshme. Me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në paraburgim”, thuhet në kumtesë.

Në lidhje me rastin kundër tyre, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë me kërkesë për deportim jashtë territorit të Kosovës. 

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë për dy personat e paraburgosur ka ngritur aktakuzë me kërkesë për deportim jashtë territorit të Kosovës për veprën penale ‘Kalim të paautorizuar të vijës kufitare’”, deklaroi për mediat zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni.

Më 30 shtator 2022, Qeveria e Kosovës miratoi vendim se për të gjithë shtetasit rusë, përfshirë edhe ata me pasaportë diplomatike të cilët dëshirojnë të hyjnë apo kalojnë transit ose të qëndrojnë në Kosovë nevojitet vizë.

 

QËNDRONI TË LIDHUR