• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Arman: Franca ndodhet në moment kritik para votëbesimit të qeverisë

Arman: Franca ndodhet në moment kritik para votëbesimit të qeverisë

Paris, 3 dhjetor 2024 (MIA) - Franca ndodhet në një moment kritik për shkak të pasigurisë për buxhetin kombëtar dhe të ardhmen e qeverisë, deklaroi sot ministri i Financave, Antoan Arman. 

Pritshmëria se qeveria e kryeministrit Mishel Barnie do të bjerë këtë javë ka goditur tregjet e aksioneve dhe obligacioneve në Francë, ekonomia e dytë më e madhe në Eurozonë e cila është nën presionin e një deficiti në rritje.

"Vendi është para një kthese", deklaroi Arman për TV Frans 2, dukes shtuar se politikanët kanë përgjegjësi "të mos e zhytin vendin në pasiguri" me votëbesimin. 

Barnie do të flasë në programet qendrore të lajmeve në televizion rreth orës 20:00, ndërsa pritet të ballafaqohet me votëbesim të mërkurën ose eventualisht të enjten. 

Nëse diçka nuk ndryshon në minutën e fundit, koalicioni i tij i brishtë do të bëhet qeveria e parë franceze që bie pas votëbesimit të vitit 1962. Rënia e qeverisë do të linte një vrimë në zemër të Evropës, duke pasur parasysh faktin se edhe Gjermania po përgatitet për zgjedhje, disa javë para se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Tramp të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Sa i përket buxhetit, nëse parlamenti nuk e miraton atë deri më 20 dhjetor, qeveria teknike mund të propozojë një ligj të veçantë të jashtëzakonshëm për të vazhduar politikën buxhetore siç ishte këtë vit. Por, kjo do të thoshte se masat shtrënguese të planifikuara nga Barnie do të dështojnë. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR